Negociatat për MSA të kryhen shpejt
MSA duhet të përmbyllet brenda një afati sa më të shkurtër kohor. Kryeministri Thaçi synon ta bëjë këtë deri në pranverë të vitit të ardhshëm. Ai kërkon llogari nga ekipi negociues i Kosovës.
Lajme
Kosova nuk ka kohë për të humbur në procesin e negocimit të Marrëveshjes për Stabilizim- Asocim me Bashkimin Europian.
Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, ka thënë se procesi i negocimit të MSA’së duhet të përfundojë deri në pranverë të vitit të ardhshëm dhe se për këtë afat kohor, ai ka marrë mbështetjen edhe nga Komisioni Europian.
Thaçi ka folur sot para ekipit negociator të MSA’së, i cili është mbledhur në Prishtinë.
“Kjo marrëveshje duhet të negociohet dhe gjithë procesi duhet të përfundohet në një afat kohor sa më të shkurtër. Ne në bashkëpunim me Komisionin Evropian jemi dakorduar që i gjithë procesi duhet të përmbyllet deri në pranverë të vitit të ardhshëm”.
“Për shkak të rëndësisë të madhe që kjo marrëveshje ka dhe faktit që ka ndikim afatgjatë në vendin tonë, duhet të sigurohemi që të gjitha institucionet e përfshira të jenë të përgjegjshme për pjesën e punës së tyre dhe të gatshëm në çdo moment të japin llogari”.