Agjenda e Takimit
Tavolina e mbledhjes së parë të përbashkët të Qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë tashmë është gati në një hotel në Prizren. Aty do të finalizohen disa dokumente, të cilat do të nënshkruhen në ndërtesën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Lajme
Për herë të parë, qeveritë e Kosovës dhe të Shqipërisë, në përbërje të plotë, do të ulen së bashku në një sallë, nesër në Prizren për të diskutuar për bashkëpunimin dypalësh në të ardhmen.
Salla ku do të mbahet mbledhja, për të cilën Kryeministri Thaçi u shpreh se është pritur për një shekull, tashmë është gati.
Vetë Thaçi ka qenë sot për ta inspektuar atë.
Mbledhja e dy qeverive do të nisë në orën 11:00 në Hotel Theranda në Prizren, në të cilën fillimisht Kryeministrat Hashim Thaçi dhe Edi Rama do t’i mbajnë fjalimet hyrëse, të hapura për mediat.
Më pas, mbledhja do të vazhdojë me dyer të mbyllura.
Në orën 12:10, dy Kryeministrat do të zhvendosen për pak metra në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në të cilën do ta nënshkruajnë Dokumentin për Bashkëpunim dhe Partneritet Strategjik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë; nënshkrimi i marrëveshjes midis dy qeverive për bashkëpunim në lehtësimin e tregtisë; nënshkrimi i marrëveshjes për bashkëpunim në fushat e transportit dhe infrastrukturës; dhe atë për thellim të bashkëpunimit dypalësh në fushën e integrimit europian.
Dy Kryeministrat do t’i prezantojnë gjithashtu edhe vendimet tjera, të miratuara në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, ndërsa njëri nga ta, siç është paralajmëruar, pritet të jetë themelimi i një fondi të veçantë për Luginën e Preshevës.
Pas ceremonisë, Kryeministri Hashim Thaçi dhe Kryeministri Edi Rama, do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media.