Tifozët e Man Utd ‘çmenden’ pas Januzajt
Ylli kosovar me nënshtetësi belge, Adnan Januzaj la gjurmë në debutimin e tij në Premierligë, duke luajtur rol të rëndësishëm në fitoren e Manchester Unitedit ndaj Crystal Palace me rezultat 2-0, të shtunën në Old Trafford. Januzaj – nga ky stinor anëtar i ekipit të parë të Unitedit pas promovimit nga skuadra e juniorëve –…
Sport
Ylli kosovar me nënshtetësi belge, Adnan Januzaj la gjurmë në debutimin e tij në Premierligë, duke luajtur rol të rëndësishëm në fitoren e Manchester Unitedit ndaj Crystal Palace me rezultat 2-0, të shtunën në Old Trafford.
Januzaj – nga ky stinor anëtar i ekipit të parë të Unitedit pas promovimit nga skuadra e juniorëve – bëri paraqitjen e parë në elitën e futbollit anglez kur në minutën e 66-të zëvendësoi mesfushorin anglez Ashley Young.
Dhe, për aq minuta sa pati në dispozicion ai i mahniti të gjithë me lojën që shfaqi. Januzaj demonstroi kreativitetin e tij duke konfirmuar kandidaturën e tij si futbollist titullar i Unitedit në sezonet e ardhshme, e pse jo edhe në vazhdim të këtij të tanishmit, shkruan portali hereisthecity.com.
Në fakt, Januzaj fitoi një goditje të lirë nga e cila Wayne Rooney shënoi golin që vulosi fitoren e Unitedit. Pas ndeshjes, Januzaj u shpreh i lumtur me debutimin e tij.
“Shpresoj të kem një tjetër rast të luaj për ekipin e parë. Nëse po, do të jap gjithçka nga vetja”, deklaroi ai. Januzaj i gëzoi tifozët e pranishëm në Old Trafford, por edhe shumë të tjerë që e lavdëruan paraqitjen e tij nëpërmjet postimeve të ndryshme në rrjetin social Twitter.
“Më e keqja e Adnan Januzajt është më e mirë se më e mira e Mesut Ozilit”, shkroi tifozi i Unitedit me emrin ‘Mistul Ti£m’. Një tjetër, ‘Kaif’ bëri një krahasim interesant: “14 shtator 1963, George Best, 17 vjeç, debutoi për Unitedin. 14 shtatore 2013, Adnan Januzaj, 18 vjeç, debutoi për Unitedin”.
Kurse, pati edhe të tjerë që paraqitjen e Januzajt e vlerësuan larg më të mirë se atë që shfaqi Young për më tepër se një orë lojë. “Adnan Januzaj u duk më i rrezikshëm për 20 minuta, se Ashley Young në dy vjetët e fundit”, komentoi ‘Seb Walke’.