Thaçi e solli mollën e kuqe tek Ura e Ibrit

Vetëvendosje thotë se përmes negociatave të vazhdueshme me Serbinë dhe marrëveshjeve me këtë shtet, Hashim Thaçi e ka sjell Mollën e Kuqe tek Ura e Ibrit, me tendencë që këtë kufi ta zbres edhe më tutje në jug të vendit tonë.

Lajme

31/12/2013 14:30

Lëvizja Vetëvendosje ka ndërmarrë sot një aksioni simbolik tek Ura e Ibrit, në Mitrovicë, duke e vendosur aty edhe një pemë.

Sipas kësaj lëvizjeje, përmes negociatave të vazhdueshme me Serbinë dhe marrëveshjeve me këtë shtet, Hashim Thaçi e ka sjell Mollën e Kuqe tek Ura e Ibrit, me tendencë që këtë kufi ta zbres edhe më tutje në jug të vendit tonë.

“Në vend që Qeveria të depërtojë në tërë territorin e Republikës së Kosovës, përmes ligjit, rendit, ekonomisë dhe shtetit social, Thaçi, me një zell të jashtëzakonshëm, i hapi rrugë depërtimit të Serbisë brenda vendit tonë, përmes krijimit të Asociacionit të Komunave Serbe, madje deri në Kuvendin e Kosovës, ku po përpiqet t’u sigurojë strukturave të Serbisë mandate të rezervuara”.

“Gjatë vitit 2013, me marrëveshjen e 19 prillit, Hashim Thaçi i krijoi bazat formale, megjithëse anti-kushtetuese, të një republike serbe brenda Kosovës. Në vitin 2014, Thaçi do të përpiqet me po të njëjtin zell që këtë republikë t’ia dhurojë Serbisë edhe në teren, gjë që tashmë e ka filluar”.

“Por, në anën tjetër, viti 2014, popullit të Kosovës do t’i ofrojë edhe raste të reja për t’i kundërshtuar dhe ndaluar këto projekte, për të cilat tashmë nuk ka kurrfarë dyshimi se do të jenë shkatërruese për shtetin dhe institucionet tona”.

“Lëvizja Vetëvendosje do ta vazhdojë angazhimin e saj, institucional dhe jashtë-institucional deri në ndaljen e këtij procesi të dëmshëm dhe deri në fillimin e njëmendtë të shtrirjes së sovranitetit të shtetit tonë, në çdo cep të vendit”.

“Në mars të vitit 2012, Hashim Thaçi, duke shitur patriotizëm, pat deklaruar që Qeveria e Kosovës e di ku është Molla e Kuqe. Mjafton të marrë vendim Kuvendi, thoshte ai, dhe qeveria është e gatshme për çdo gjë”.

”Por, nëse para më shumë se njëqind vjetësh kufiri i shqiptarëve u luajt dhunshëm nga Serbia dhe vendet e tjera të rajonit, në kurriz të territoreve shqiptare, sot është pikërisht Hashim Thaçi ai që po e luan kufirin shqiptar ne kohë paqeje në favor të aspiratave shoveniste të Serbisë, sa për ta ruajtur pushtetin e tij kriminal”.