Situatë e re për EULEX’in

Shefi i EULEX’it. Bernd Borchardt thotë se e ardhmja e EULEX’it do të vendoset në qershor të vitit të ardhshëm. Sipas tij, në Kosovë është krijuar një situatë e re e cila do ta prekë edhe këtë mision.

Lajme

24/12/2013 08:57

Shefi i EULEX’it, Bernd Borchardt ka thënë se e ardhmja e këtrij misioni do të vendoset në negociatat ndërmjet Bashkimit Europian dhe Qeverisë së Kosovës.

Në një intervistë për RTK, Borchardt është shprehur se ekziston nevoja për një përqasje të re, e cila i merr parasysh qëndrimet e Qeverisë së Kosovës, prandaj “situata është e re”.

“Pas qershorit 2014 do të diskutohet dhe do të arrihet marrëveshja mes BE’së dhe Qeverisë së Kosovës. Në BE nënkupton që jo vetëm kolegët dhe strukturat tona në Bruksel dhe `shefat` por edhe shtetet anëtare. Pra, ky është një proces i komplikuar për gjetjen e kompromisit, dhe ky proces i pasqyron një numër zhvillimesh të rëndësishme mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian”.

“Ne e kemi marrë dhe e kemi parë letrën që Kryeministri ia ka dërguar Përfaqësueses së Lartë, Baroneshës Ashton, ku ai sugjeron disa hapa për zhvillimin e misionit”.

“Kjo tani është duke u diskutuar dhe duke u marrë parasysh, dhe si i tillë edhe u është komunikuar shteteve anëtare”.

Duke folur për zgjedhjet lokale të cilat për herë të parë u mbajtën edhe në komunat veriore të Kosovës të dominuara nga serbët dhe të kontrolluara deri më tani nga Beogradi, Borchardt ka thënë se zgjedhja e kryetarëve të rinj të komunave është një ndër shumë hapat e ndërmarrë për krijimin e kushteve më pozitive dhe së ardhmes më të mirë për qytetarët në veri të Kosovës”.

“Gjatë rundit të parë në Mitrovicë dhe Zveçan janë paraqitur disa persona problematikë, të cilët në fund edhe nuk patën sukses. Rundi tjetër kaloi pa probleme, sepse këta armiq të demokracisë kanë mundur vetëm të bëjnë një ndërprerje të vogël, por nuk patën sukses që ta ndërpresin procesin zgjedhor”.

I pyetur se cili do të jetë roli i EULEX’it në integrimin e ish-pjesëtarëve të policisë së MUP’it në veri  në Policinë e Kosovës, Borchardt ka thënë se ky mision do të ketë “rol të dyfishtë”.

“Stafi ynë po e mban një kurs orientues. Mendoj që struktura e policisë suaj është ndryshe. Ligji i Procedurës Penale këtu është ndryshe. Legjislacioni për Policinë është ndryshe. Prandaj, këta policë do të kalojnë nëpër trajnimet orientuese. Grupi i parë e ka mbaruar këtë kurs dje dhe të tjerët do të vazhdojnë. Dhe e dyta, natyrisht ne do ta vazhdojmë punën tonë të përgjithshme në veri me Policinë e Kosovës. Ne i kemi caktuar 23 këshilltarë tanë që do t`i mbështesin dhe do t`i këshillojnë policët shtesë për të punuar në mjedisin dhe strukturën e re”.

“Kur unë arrita në fillim të vitit këtu, ju kujtohet që ishin gjithë ato shpërthime në Mitrovicë. Dhe ishte policia jonë së bashku me Policinë e Kosovës të cilët po përballeshin me to. Por, me më shumë policë që do t`u bashkohen në punë në veri, ata do të arrijnë që këtë ta bëjnë vetë”.

Borchardt ka folur edhe për sigurinë e stafit të EULEX’it në Veri.

“Ne udhëtojmë atje lirshëm, por kujtoni që këtë vit misionit i ndodhi më e keqja, vrasja e kolegut tonë, gjë që na bëri të udhëtojmë në mënyrë më të sigurt në automjete të blinduara. Ne shpresojmë t`i gjejmë fajtorët, ashtu që edhe ne të mund të udhëtojmë sërish me automjete të rëndomta. Por, ky është vetëm një kufizim. Sa u përket të tjerave, ky është vetëm një kufizimet në aspektin e sigurisë dhe nuk është një kufizim politik, apo një kufizim i cili vjen nga disponimi i keq kundrejt nesh nga popullata e përgjithshme.

Duke folur për akuzat ndaj drejtuesve të UÇK’së për krime lufte nga prokurorët e EULEX’it, shefi i këtij miaioni ka thënë se nuk dëshiron të falë për hetimet që janë duke vazhduar.

“Do të ishte papjekuri nga ana ime nëse e bëj këtë. Pra, ne përqendrohemi në fushat në të cilat mendojmë se mund të jemi të suksesshëm. Ka shumë raste të krimeve të luftës dhe ne e kemi vetëm një faqe, pas pesëmbëdhjetë vjetësh të gjejmë ende dëshmi, dëshmitarë. Është tepër vështirë. Në rastet e tjera ishte e mundur. Neve na kontaktuan dëshmitarët dhe ishin të gatshëm t`i jepnin deklaratat e tyre. Pastaj keni mundësinë ta paraqitni rastin në gjykatë. Pastaj prokurori ka të dhëna dhe mund të vazhdojë të kërkojë dëshmitarë të tjerë. Kjo është arsyeja pse ai mund të arrijë diçka dhe më në fund të nxirret vendimi gjyqësor, shfajësim apo fajtor, ka thënë Bernd Borchardt për RTK.