PTK s’është dashur të përfshihet në Buxhet

Deputeti Ahmet Isufi thotë se PTK s’është dashur të hyjë në Projektligjin e Buxhetit. Ai thotë se AAK ka kërkuar që të bëhen disa ndryshime përmbajtjesore në Projektligjin e Buxhetit, pa përfshirjen e të cilave nuk do ta votojë Buxhetin.

Lajme

15/12/2013 13:41

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, shprehet kundër shitjes së Postës dhe Telekomit të Kosovës, përmes futjes së vendimit për shitjen e saj në Projektligjin e Buxhetit për vitin 2014, i cili do të dalë për votim të dytë në Kuvend gjatë kësaj jave.

Deputeti Isufi thotë për lajmi.net se PTK është dashur të shitet sipas procedurave të ndjekura në shitjen e aseteve tjera shtetërore dhe jo në këtë mënyrë.

“Ne vlerësojmë se PTK’ja nuk është dashur të hyjë në këtë Projektligj, sepse është dashur të shitet si të gjitha asetet tjera që janë shitur në Kosovë, dhe jo të bëhet përjashtim duke e future në Ligjin për Buxhet”.

Partia e deputetit Ahmet Isufi ende nuk ka marrë një qëndrim të qartë nëse do ta votojë Buxhetin, në lexim të dytë, ashtu siç është, përfshirë edhe amendamentin për shitjen e PTK’së .

Isufi thotë se AAK ka kërkuar që të bëhen disa ndryshime përmbajtjesore në Projektligjin e Buxhetit.

Pa këto ndryshime, ai thotë se AAK’ja prapë nuk do ta votojë Projektligjin e Buxhetit.

“Ne nuk e kemi votuar Buxhetin në leximin e parë dhe nëse nuk bëhen ndryshime përmbajtjesore të cilat i ka kërkuar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nuk e votojmë prapë”.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës parasheh që privatizimi i Postës dhe Telekomit të Kosovës të bëhet përmes amandamentimit të Projektbuxhetit për vitin 2014.

Miratimi i këtij amandamenti në Komision për Buxhet dhe Financa ka ngritur reagime nga deputetë të partisë më të madhe opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës por edhe të Lëvizjes Vetëvendosje.

Këto parti kanë kundërshtuar formën se si Qeveria e Kosovës po mundohet që ta privatizojë PTK’në, përmes Ligjit të Buxhetit, duke e konsideruar këtë si joligjore, në aspektin procedural dhe substancial.

Deri tash Kuvendi i Kosovës ka dështuar disa herë të siguroi kuorumin e nevojashëm për ta votuar vendimin e Komisionit ndër-qeveritar për shitjen e 75 për qind të aksioneve të PTK’së, për shkak të bojkotit të opozitës.

Po ashtu, opozita në mungesë të kuorumit nuk ka arritur të formojë Komisionin Hetimor Parlamentar për PTK’në.