Nuk pensionohem

Nexhat Daci thotë se koalicioni AAK-LDD është fituesi më i madh i zgjedhjeve lokale. Ai nuk e ka ndërmend të pensionohet nga skena politike. Thotë se pas zgjedhjeve nacionale, koalicioni AAK-LDD do të jetë pjesë e qeverisjes.

Lajme

14/12/2013 10:02

Pavarësisht rezultatit zhgënjyes të  koalicionit AAK-LDD në shumicën e komunave të Kosovës në zgjedhjet lokale, Kryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë Nexhat Daci thotë se ata janë fituesi më i madh i zgjedhjeve.

Ai deklaron se është e padrejtë që koalicioni me partinë e Ramush Haradinajt të quhet humbës pasi që sipas tij ky koalicion ka arritur të sigurojë mbi 27 mijë vota  më shumë se sa në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit 2010.

Në një intervistë për “Epoka e Re” Daci ka thënë se nuk sheh ndonjë arsye që të pensionohet nga skena politike.

“Nuk pensionohem derisa të më pensionojë Perëndia. Shëndeti mendor, intelektual dhe fizik është në fuqi të duhur saqë nuk kam asnjë arsye të dezertoj”.

“Koalicioni AAK-LDD në këto zgjedhje është fituesi më i madh nga të gjitha partitë parlamentare dhe joparlamentare që kanë marrë pjesë në zgjedhje. Ky koalicion në këto zgjedhje ka fituar 27.662 vota më tepër se në zgjedhjet e vitit 2010”

“Është e ngutshme dhe emotive që krejt koalicioni ose AAK-ja ta rëndojë vetveten që ka humbur. Komunat që janë humbur, ato janë humbur prej kandidatëve të cilët kanë kandiduar për kryetarë të komunës.

“Sa kam informacione, ka pasur dilema edhe brenda AAK’së se a duhet të shkojë një anëtar i AAK’së për të tretën herë për kryetar komune, apo duhet të ketë ndryshime. Por, ka dominuar ideja të vazhdohet edhe për një mandat të tretë”.

Akdemik Daci ka bindjen se koalicioni AAK-LDD do të jetë pjesë e qeverisjes së ardhshme.

“Koalicionin AAK-LDD pas zgjedhjeve nacionale e shoh pjesë të qeverisjes, në veçanti liderin e koalicionit, z. Ramush Haradinaj”, ka deklaruar Daci.