Ftesë për bashkim me Krasniqin e Limajn

Hajredin Kuçi thotë se ende ka hapësirë që Jakup Krasniqi dhe Fatmir Limaj të mos krijojnë subjekt të ri politik, por t’u kthehen pozitave të larta në PDK. Ai pranon se Limaj dhe Krasniqi kanë pasur efekt në rezultatin zgjedhor të PDK’së.

Lajme

11/12/2013 21:30

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajredin Kuçi, thotë se ende ka hapësirë që Jakup Krasniqi dhe Fatmir Limaj të mos krijojnë subjekt të ri politik, por t’u kthehen pozitave të larta partiake në këtë parti, të cilat i kishin deri në Kongresin e fundit zgjedhor.

Duke folur në një intervistë për Rubikon të KTV’së, ai pothuajse u ka bërë ftesë dy figurave të larta të kësaj partie për të mos u larguar, ndërkohë që marrëdhëniet mes tyre tashmë janë acaruar deri në masën sa pritet vetëm edhe njoftimi zyrtar i tyre nga shkëputja me PDK’në.

Kuçi ka pohuar se të gjithë në PDK e duan unitetin e partisë.

“Po e them publikisht që sonte se nëse z.Krasniqi dhe z.Limaj shprehin gatishmëri që të vazhdojnë aktivitetin në PDK, une ju them me të dy duart hapur se do t’i kenë pozicionet që i kanë pasur”.

“Këtë që po e them, nuk po e them fluturimthi. Unë jam i bindur që Kryetari dhe Kryeministri pret dhe punon për fuqizimin e partisë, pra fuqizimin në kontinuitet të saj”.

“Ne kemi qenë të suksesshëm për 14 vjet, e kemi ruajtur unitetin dhe ndoshta  jemi edhe partia më unike në rajon”.

“Unë jam i bindur se Kryetari i PDK’së, dhe gjithë të tjerët, përfshirë Z. Veseli, jemi që ta ruajmë unitetin e partisë”.

“Jam i bindur që nuk kemi luftuar për pozicione brenda PDK’së. Unë po e them se kam qenë Nënkryetar që nga themelimi dhe asnjëherë, as unë, as Limaj, dhe as dikush tjetër, nuk kemi bërë gara kush është Nënkryetar e kush nuk është”.

“Mund të them që gatishmëria e PDK’së është, jo në kuptimin që t’u japim shpërblim, pasi ata e kanë kontributin për PDK’në”.

“PDK mund të reformohet nga brenda, por jo nga jashtë. Nëse dëshironi ta reformoni dikë, ta përmirësoni dikë, atëherë duhet të jeni brenda, duhet të jeni pjesë e betejave”.

Hajredin Kuçi, në vijim të intervistës për Rubikon të KTV’së, nuk ka dashur të flasë për marrëdhëniet e acaruara mes Jakup Krasniqit e Ftamir Limajt me PDK’në, kur të dy kanë dalur hapur në mbështetje të iniciativave qytetare në zgjedhjet lokale dhe kundër PDK’së.

Ai tha se tani duhet të flasin të dy palët për periudhën pas 11 dhjetorit dhe çka të bëjnë tutje, e jo për atë çfarë ka qenë.

“Elektorati i PDK’së i pret, jo vetëm ata, por i pret edhe të tjerët”.

“Jam i bindur që ka hapësirë të mos krijohet një subjekt i ri politik dhe në këtë drejtim besoj se duhet të punojmë të gjithë. Shigjetat duhet të jenë në një drejtim. Ata në drejtim kah PDK’ja dhe PDK’ja në drejtim të tyre”.

“Jam ithtar që ta luaj rolin tim edhe brenda partisë por edhe në publik”

Kuçi tha se është i gatshëm që të  shkojnë dhe të bisedojë me Krasniqin dhe Limajn, por, sipas tij, ka persona me më shumë ndikim tek ata të cilët mund ta luajnë këtë rol.

“Absolutisht me shumë kënaqësi. Por, unë besoj që ka shumë tjerë që kanë ndikim më shumë tek ata në kuptim pozitiv për ta bërë një gjë të tillë. Përndryshe nuk shoh që ka nevojë për ndërmjetësues mes meje dhe Kryetarit të partisë për ata. Absolutisht jo, unë s’jam ndërmjetësuesi adekuat për ata”.

“Ata janë më të afërt me njëri-tjetrin sesa që mund të jem unë me ndonjërin prej tyre”.

“Unë mendoj se ata janë PDK, nuk është deklaruar as PDK ndryshe, e as ata ndryshe”.

“Asnjëri prej tyre nuk ka dallime konceptuale me PDK’në. Këto koncepte që i ka PDK, e që i ka pasur që nga fillimi, edhe ata janë bashkëkrijues”.

“Ka hapësirë të mjaftueshme në PDK që të bashkëjetojnë divergjencat. Bile e dini kur bashkëjetojnë idetë e kundërta ndodh mrekullia. S’është PDK parti moniste, si thotë njeri të themi të gjithë, ose e kundërta. Ka edhe mendime të kundërta, ka pasur edhe më herët dhe nuk është hera e parë, dhe ata njerëz kanë dashur t`i ruajnë pozicionet”.

Kuçi e pranon se Limaj dhe Krasniqi kanë pasur efekt në rezultatin zgjedhor të PDK’së.

Ai thotë se elektorati i tyre nuk dëshiron përçarje.

“Elektorati i PDK’së nuk e dëshiron përçarjen. Mbi të gjitha, po them elektorat i PDK’së nuk e dëshiron asnjë përçarje që shkakton humbje”.

“Unë do të isha naivi më i madh politik nëse do të thosha që një Anëtar i Kryesisë, një Nënkryetar dhe një Sekretar i Përgjithshëm të largohet nga partia dhe të mos ketë asnjë efekt”.

“Edhe në fshatin më të lartë të Kosovës, ku janë pesë shtëpi, nëse largohet një anëtar, ke humbje, e lëre më nga pozitat publike që kanë njerëzit, partiake e kështu me radhë”.

“Ne nuk guxojmë të bëjmë veprime avanturiere…”.

Nënkryetari i PDK’së siguron se nuk do të ketë asnjë iniciativë për shkarkimin e Krasniqit nga pozita e Kryetarit të Kuvendit.

Në fund të fundit, sipas tij, Krasniqi këtë pozitë e ka me kontributin e tij.

“Unë edhe më herët e kam thënë që as ndërmend PDK nuk e ka që ta marrë ndonjë iniciativë për të ndryshuar. Këtë e kam thënë në 2010, po e them edhe tani. Nuk e ka shpërblim z.Krasniqi atë vend, e ka me me kontributin e tij të cilën e ka dhënë”.

Kuçi thotë se proceduralisht nuk ka asnjë problem për kthimin e Limajt dhe Krasniqi në pozitat e tyre të vjetra.

Nevojitet vetëm vullneti i tyre.

“Unë besoj se ka hapësirë për veprime të tilla, proceduralisht nuk është asnjë problem”.

“Nuk është kontestuar kurrë, as me vota të hapua e as të fshehura pozicioni i një grupi udhëheqës të PDK’së”.