Koalicionet e Panatyrshme

Për koalicionet e balotazhit, Halil Matoshi thotë se partive u mungon etika e pushtetit dhe s’e kanë problem t’i ndërrojnë partnerët. Milazim Krasniqi konsideron se zgjedhjet dhanë sinjalin që elektorati kërkon ndryshim. Ai pret rikompozim të skenës politike.

Lajme

11/11/2013 05:51

Partitë politike zhvilluan një garë të fortë, e cila u karakterizua me kritika dhe akuza ndërmjet tyre gjatë fushatës për zgjedhjet e 3 nëntorit.

Të gjitha subjektet politike luftuan për tridhjetë ditë rresht kundër njëra-tjetrës, në përpjekje për të marrë sa më shumë vota. Ato i vlerësuan lart cilësitë e proklamuara të tyre, duke i përqeshur me përbuzje ato të kundërshtarëve.

Ishte luftë e të gjithëve kundër të gjithëve.

Por, rezultati zgjedhor i 3 nëntorit i nxori para një akti të kryer pothuajse të gjitha forcat politike, të cilat nuk arritën t’i përmbushnin pritjet e tyre për fitore në raundin e parë.

Tash, pragmatizmi politik do t’u imponojë të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën dhe ta harrojnë arsenalin e akuzave, kritikave dhe etiketimeve që kishin dje ndaj rivaleve të cilat sot i duan për koalicione.

Analisti Milazim Krasniqi thotë për lajmi.net se partitë politike në Kosovë nuk janë të themeluara mbi bazë të doktrinave politike, gjë që do t’i qartësonte pozicionet e tyre në hartën politike.

“Fushata ishte më shumë politike sesa jopolitike. Në këtë mënyrë është krijuar pritshmëria që edhe raundi i dytë, edhe koalicionet që do t’i shoqërojnë, do të kenë parashenjën politike”.

“Tash ka një rikthim tek natyra e vërtetë e zgjedhjeve lokale, me krijimin e koalicioneve në komuna të veçanta, sipas interesave të veçanta, të degëve e të partive”.

“Kjo është një situatë që, realisht, do të duhej të ndodhte, por është kundërthënëse me natyrën e fushatës parazgjedhore, që e çorienton ose e huton edhe vetë elektoratin”.

“Partitë politike në Kosovë nuk janë të themeluara në bazë të doktrinave politike të cilat qartësisht do ta pozicionin secilën prej tyre në hartën, ose në skemën politike. Prandaj, lëvizshmëria e tyre nga një koalicion në tjetrin, nga një krah në tjetrin, është bërë diçka e zakonshme, por që në të vërtetë nuk është e natyrshme”.

“Mirëpo, është një përpjekje e të gjithëve që të marrin sa më shumë nga torta e këtij elektorati të hutuar, prandaj edhe ndodhin këto kapërcime, këto koalicione, që duken të panatyrshme”.

 

Halil Matoshi: Në Kosovë s’ekziston Etika e Pushtetit

Analisti Halil Matoshi thotë për lajmi.net se forcat politike në Kosovë nuk kanë shumë dallime ideologjike dhe programore mes tyre, prandaj ato s’e kanë problem që tani të lidhin koalicione me njëra-tjetrën, pavarësisht kritikave e akuzave të mëhershme.

“Pikëpamjet e programeve politike pothuajse te të gjitha partitë e mëdha në Kosovë nuk kanë diferenca – diferencën e bën vetëm Lëvizja Vetëvendosje, e cila edhe ashtu nuk ka arritur që të hyjë në koalicione për pushtetin lokal nëpër komunat e Kosovës”.

“Duke qenë se nuk ka shumë dallime ideologjike dhe programore, kurse komunat  e Kosovës janë vende të vogla ku të gjithë njihen me të gjithë, partive nuk u prish punë që të bëjnë koalicione të tilla, që në dukje duket se janë joparimore për ta marrë pushtetin”.

“Kritikat që herë pas here ato ia bëjnë  njëra-tjetrës në kuptimin e pushtetit kombëtar paksa i kushtëzon vetëm retorika politike, përndryshe tashmë në Kosovë është e ditur se të gjithë kanë bërë koalicione me të gjithë: LDK me AAK, pastaj PDK me LDK e me AKR, kështu që nuk shoh ndonjë problem pse këto koalicione po ndodhin sot, në rrafshin e pushtetit komunal”.

Matoshi është befasuar me AAK’në, e cila fillimisht i dha mbështetje PDK’së në Prizren, e nuk vonoi shumë dhe përkrahu LDK’së në Lipjan.

“Kjo parti në Prizren filloi një koalicion me Ramadan Mujën, i cili është i diskredituar në pushtet, sepse gjatë tërë fushatës ka qenë në ndjekje penale. E tash, partia e Haradinajt po çon partneritet tek LDK’ja në disa komuna tjera. Kjo për mua është befasi”.

“Por, duke qenë se në Kosovë nuk ekziston ajo që quhet ‘Etikë e Pushtetit’, këta liderë politikë nuk e kanë shumë problem që t’i ndërrojnë edhe vetë individualisht shumë parti, si dhe t’i ndërrojnë edhe shumë partnerë të koalicionit, qoftë edhe me një qasje joparimore”.

“Besoj se 3 nëntori i këtij viti dëshmoi se votuesi kosovar, tashmë i edukuar, diti të japë votë ndëshkuese. Kjo ka ndodhur në disa mese me AAK’në, në disa mese edhe me PDK’në, si në Malishevë ose Viti , e në disa raste edhe me Vetëvendosjen”.

“Konsideroj se vota e 3 nëntorit është pikërisht votë ndëshkuese për këto kapërcime diferencash, partnerësh, partish, për kalimet nga një krah në krahun tjetër, nga një parti në tjetrën”.

 

Milazim Krasniqi: Do të ketë rikompozim të skenës politike

Analisti Milazim Krasniqi për lajmi.net parasheh rikompozim të skenës politike në Kosovë, pas përmbylljes së ciklit të zgjedhjeve lokale.

“Mbetet të shihet kur të mbyllet cikli zgjedhor lokal, pra me 1 dhjetor, sepse atëherë do të shihet shija reale e secilës parti politike. Pas analizave që ato do të bëjnë, me siguri në kontekstin e përgatitjeve për zgjedhjet parlamentare, do të kemi, besoj, afrime të disa prej partive, ndoshta edhe koalicione parazgjedhore, në mënyrë që të maksimizohet vota në zgjedhjet parlamentare”.

“Përshtypja ime është që në zgjedhjet lokale të gjitha partitë tashmë e kanë një sinjal nga elektorati që kërkohet diçka më shumë, kërkohet ndryshim. Realisht, edhe shoqëria kosovare për këto vite ka ndryshuar bukur shumë, ndërsa shumica e partive nuk u janë përshtatur pikërisht ndryshimit të shoqërisë dhe pritshmërive që ka shoqëria”.

“Kur të mbyllet ky cikël, unë jam i bindur se do të kemi analiza të të gjitha subjekteve relevante, ndoshta edhe ndryshim të doktrinave të disa prej tyre, por edhe afrime ose largime nga njëra-tjetra”.

“Pra, një rikompozim i skenës politike pritet të ndodhë mbas mbylljes së ciklit të zgjedhjeve lokale”.