Komod me Thaçin
Hashim Thaçi dhe Kandidati i PDK'së për Prishtinën Agim Çeku kanë vazhduar sot takimet me qytetarë të Prishtinës. Thaçi dhe Çeku kanë gjetur motiv shtesë në garën e Kryeqytetit.
Lajme
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për Kryetar të Prishtinës Agim Çeku po merr zemër nga partia e tij që aktualisht mban Qeverinë e Kosovës.
Çeku së bashku me shefin e tij, Kryetarin e PDK’së Hashim Thaçin, ka vazhduar sot shëtitjet në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë, duke e bërë komunikimin tashmë të mirënjohur me qytetarë, raporton Kosovapress.
Kryetari i PDK’së Hashim Thaçi nuk e lëshuar as sot mundësinë që t’i pyes qytetarët e Prishtinës se a do të dalin në zgjedhje dhe se për kë do të votojnë.
Thaçi ka deklaruar për media se kandidati i tij gëzon një mbështetje të madhe nga prishtinasit dhe se do të dalë i pari në ndër kundër-kandidatët e tij.
“Po shihet që dominon edhe optimizmi i qytetarëve në Kryeqytetin e Kosovës, pra në Prishtinë, njerëzit gjithnjë e më tepër po besojnë në vizionin e zotëri Çekut si Kryetar i ardhshëm i Prishtinës, se ky mund ta ndërtojë Prishtinën e re, Prishtinën europiane”.
“Prishtinës i duhen ndryshime të rëndësishme, prandaj, u jemi mirënjohës qytetarëve të Prishtinës për të bërë ndryshime”, u shpreh Thaçi.
Ndërsa Çeku theksoi se ndihet komod në këtë garë pasi që ka mbështetjen Kryeministrit Thaçi, duke thënë se pa një mbështetje të tillë nuk mund të zhvillohet Kryeqyteti.
“Në biseda me qytetarë, shumë gjëra u thanë se më japim përparësi mua si kandidat për Kryetar të Prishtinës, por njëra prej gjërave më të rëndësishme që më bën të jem në avantazh me kandidatët tjerë është që e kam mbështetjen e Kryeministrit si Kryetar i Prishtinës dhe do ta kem mbështetjen e Kryeministrit, të Qeverisë së Kosovës”.
“Qytetarët e dinë se pa një mbështetje nga Qeveria, pa një bashkëpunim të ngushtë me Qeverinë e Kosovës, me Kryeministrin e Kosovës, nuk mund të zgjidhen problemet në Prishtinë. Ne edhe në të ardhmen do të punojmë bashkë për Prishtinën tonë, për Prishtinën europiane, për Prishtinën ndryshe”, tha Çeku.