Luftë ndaj manipuluesve të votës
Policia e Kosovës deri më tani ka mbajtur rendin në rreth 1150 tubime parazgjedhore. Përpos incidenteve në disa komuna të Veriut, për ta, gjendja është shumë e kënaqshme.
Lajme
Policia e Kosovës ka thënë se do të jetë e pakompromis ndaj atyre që përpiqen ta prishin procesin zgjedhor me ndonjë manipulim gjatë ditës së zgjedhjeve.
Rashit Qalaj, Drejtor i Departamentit të Operativës në Policinë e Kosovës, ka thënë sot se deri më tani, përveç incidenteve në veri, situata e sigurisë gjatë procesit zgjedhor ka qenë e qetë.
“Deri më tani janë mbajtur rreth 1150 tubime dhe jemi shumë të kënaqur që incidente serioze s’ka pasur, në përjashtim të disa incidenteve në disa prej komunave në veri, për shkak të situatës politike atje”, ka thënë Qalaj.
“Por, edhe atje incidentet nuk kanë qenë të lidhura direkt me tubimet zgjedhore por kanë ndodhur incidente kundër disa kandidatëve që janë për asamble komunale në ato komuna”.
Qalaj tha se Policia e Kosovës do të jetë e pakompromis në rast të keqpërdorimit të dikujt në procesin zgjedhor dhe do ta kryejë detyrën e saj me parimet e paracaktuara.
Ai ka thënë se janë mbajtur takime me të gjithë komandantët e nënstacioneve dhe stacioneve policore, drejtorët rajonalë të Kosovës dhe koordinatorët e zgjedhjeve në nivel të stacioneve dhe rajoneve në mënyrë që të koordinohen veprimet për këtë proces zgjedhor.
“Policia e Kosovës edhe këto zgjedhje do të udhëhiqet nga parimi i neutralitetit dhe paanësisë, dhe nga parimi profesional”.
“Secili polic do t’i ketë detyrat e qarta, obligimet e qarta gjatë fushatës, ditës së zgjedhjeve dhe pas 3 nëntorit”.
“Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë e shtetit do të jetë e pakompromis ndaj çdo tendence për keqpërdorim në tërë këtë proces”, ka thënë Rashit Qalaj.