Picula: Mosnjohja e Kosovës nga pesë shtete të BE-së nuk duhet ta bllokojë procesin e integrimit evropian

Katër vjet pas aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, procesi ende nuk ka marrë përgjigje nga institucionet evropiane. Eurodeputeti Tonino Picula, në një intervistë për RTK-në, ka kritikuar Këshillin e BE-së për moskërkimin e opinionit nga Komisioni Evropian, duke vlerësuar se mosnjohja e Kosovës nga pesë shtete anëtare nuk duhet ta pengojë këtë…

Lajme

29/11/2026 22:29

Katër vjet pas aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, procesi ende nuk ka marrë përgjigje nga institucionet evropiane. Eurodeputeti Tonino Picula, në një intervistë për RTK-në, ka kritikuar Këshillin e BE-së për moskërkimin e opinionit nga Komisioni Evropian, duke vlerësuar se mosnjohja e Kosovës nga pesë shtete anëtare nuk duhet ta pengojë këtë proces.

Picula ka thënë se Komisioni Evropian është i gatshëm ta përgatisë opinionin, por për këtë kërkohet vendim me konsensus nga Këshilli i BE-së.

“Komisioni ka thënë disa herë se është i gatshëm ta përgatisë opinionin. Ai po pret që Këshilli ta kërkojë atë, ndërsa në Këshill asgjë nuk ndodh pa konsensus. Në praktikë, kjo do të thotë se aplikimi po mbahet peng kryesisht nga pesë shtetet anëtare që nuk e njohin Kosovën”, ka deklaruar Picula.

Ai ka vlerësuar se Këshilli i BE-së po gabon duke e lidhur kërkesën për opinionin e Komisionit Evropian me çështjen e njohjes së Kosovës.

“Këshilli po gabon duke e trajtuar kërkesën për opinion sikur të ishte vendim për njohje. Nuk është kështu. Është një vlerësim ekspertësh se ku qëndron një vend dhe Kosova meriton ta dëgjojë atë, përfshirë edhe pjesët e pakëndshme”, ka thënë eurodeputeti.

Megjithatë, Picula ka theksuar se edhe institucionet e Kosovës kanë përgjegjësi për ngadalësimin e procesit. Sipas tij, veprimet e njëanshme në veri dhe vonesat në dialogun me Beogradin u kanë dhënë shteteve skeptike argumente për ta shtyrë shqyrtimin e aplikimit.

Ai ka kërkuar nga institucionet në Prishtinë që të përshpejtojnë reformat, të shmangin veprimet e njëanshme dhe të avancojnë dialogun me Serbinë, si dhe të shfrytëzojnë mundësitë që ofron Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian.

Duke folur për zhvillimet e mundshme gjatë vitit 2027, eurodeputeti ka thënë se një ton më konstruktiv nga Serbia dhe rikthimi në dialog mund të krijojnë mundësi për përparim, por ka paralajmëruar se ndryshimet politike nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht ndryshim të qasjes ndaj Kosovës.

“Shumica e re në Serbi ka bërë të qartë se synon t’i respektojë obligimet nga dialogu brenda kornizës së Kushtetutës së Serbisë, gjë që nuk do t’i bëjë bisedimet më të lehta. Megjithatë, një ton më konstruktiv dhe një rikthim i vërtetë në dialog janë shpresa të arsyeshme për vitin 2027. Edhe vetëm kjo do të ishte përparim pas viteve të stagnimit”, ka deklaruar Picula.

Ai ka rikujtuar se normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetet kusht për integrimin e të dyja vendeve në Bashkimin Evropian.