Rezervat shtetërore, sot seanca ndaj Rozeta Hajdarit

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot vazhdon gjykimi për rastin e rezervave shtetërore ndaj ish-ministres Rozeta Hajdari dhe 3 të akuzuarve të tjerë. Seanca është paraparë të mbahet në orën 09:30, në Pallatin e Drejtësisë. Përveç ish-ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në këtë rast të akuzuar janë edhe Irfan Lipovica, Hafiz Gara dhe afaristi…

Lajme

27/11/2026 08:36

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot vazhdon gjykimi për rastin e rezervave shtetërore ndaj ish-ministres Rozeta Hajdari dhe 3 të akuzuarve të tjerë.

Seanca është paraparë të mbahet në orën 09:30, në Pallatin e Drejtësisë.

Përveç ish-ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në këtë rast të akuzuar janë edhe Irfan Lipovica, Hafiz Gara dhe afaristi Ridvan Muharremi.

Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj tyre më 11 nëntor 2025, për dyshimet për keqpërdorime gjatë kontraktimit të mallrave për rezervat shtetërore në vitin 2022.

Sipas aktakuzës, dëmi i pretenduar ndaj buxhetit të Kosovës arrin në 2,912,134.78 euro.

Dyshimet lidhen me procedurat e kontraktimit për furnizimin me grurë, vaj dhe sheqer.

Hajdari, Lipovica dhe Gara akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare në bashkëkryerje. Gara ngarkohet edhe me një akuzë të veçantë për zbulim të fshehtësisë zyrtare, ndërsa Muharremi akuzohet për ndihmë në keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar.

Më 13 mars 2026, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte refuzuar kërkesat e mbrojtjes për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Ndërkaq, më 13 nëntor, Gjykata e Apelit refuzoi si të pabazuara ankesat e mbrojtjes, duke i hapur rrugë vazhdimit të shqyrtimit gjyqësor.

Ish-ministrja Hajdari i ka mohuar akuzat ndaj saj.