EULEX-i dhuron mobilie dhe pajisje për Institutin e Mjekësisë Ligjore, synohet përmirësimi i kushteve për të mbijetuarit e dhunës seksuale
Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Antero Lopes, ka dorëzuar një donacion me mobilie dhe pajisje për Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), me qëllim të përmirësimit të kushteve për ekzaminimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale. Donacioni iu dorëzua ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të IML-së,…
Lajme
Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Antero Lopes, ka dorëzuar një donacion me mobilie dhe pajisje për Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), me qëllim të përmirësimit të kushteve për ekzaminimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale.
Donacioni iu dorëzua ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të IML-së, Dr. Valon Hyseni, ndërsa përfshin pajisje për dy dhoma që përdoren për intervista dhe ekzaminime mjekoligjore.
Sipas EULEX-it, këto ambiente janë rinovuar për t’iu përgjigjur më mirë nevojave të të mbijetuarve të dhunës seksuale, përfshirë gratë, fëmijët dhe grupet e tjera të cenueshme. Hapësirat e reja synojnë të mundësojnë shërbime më të ndjeshme ndaj traumës, me respektim të dinjitetit, privatësisë dhe mirëqenies së viktimave.
Shefi i EULEX-it, Antero Lopes, theksoi rëndësinë e krijimit të një ambienti të sigurt dhe profesional gjatë ekzaminimeve mjekoligjore.
Ai tha se përmes këtij donacioni, EULEX-i synon të mbështesë institucionet e Kosovës në ofrimin e shërbimeve në përputhje me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, veçanërisht me parimet e Konventës së Stambollit.
Ndërkohë, EULEX-i ka bërë të ditur se rinovimi i këtyre hapësirave është një hap i përkohshëm, ndërsa si prioritet afatgjatë mbetet krijimi i një qendre të specializuar për referimin e rasteve të dhunës seksuale. Në këtë qendër, të mbijetuarit do të mund të përfitojnë ekzaminime mjekësore dhe mjekoligjore, mbështetje psikologjike, këshillim ligjor dhe ndihmë për përballimin e traumës.
Nga ana tjetër, ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të IML-së, Dr. Valon Hyseni, falënderoi EULEX-in për mbështetjen, duke theksuar se institucioni ka përgjegjësi që çdo të mbijetuar ta trajtojë me dinjitet, profesionalizëm dhe konfidencialitet.
Ai shtoi se mirëqenia dhe privatësia e të mbijetuarve mbeten thelbësore gjatë kryerjes së ekzaminimeve mjekoligjore.