Limaj në përurimin e obeliskut për Jakup Krasniqin: Beteja në Hagë është beteja jonë e përbashkët

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se beteja që po zhvillohet në Hagë nuk duhet të shihet vetëm si betejë e ish-krerëve të UÇK-së, por si betejë e përbashkët. Këtë deklaratë Limaj e bëri gjatë ceremonisë së përurimit të obeliskut në nderim të Jakup Krasniqit dhe tri shkronjave të UÇK-së, në Negroc të…

Lajme

26/11/2026 13:50

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se beteja që po zhvillohet në Hagë nuk duhet të shihet vetëm si betejë e ish-krerëve të UÇK-së, por si betejë e përbashkët.

Këtë deklaratë Limaj e bëri gjatë ceremonisë së përurimit të obeliskut në nderim të Jakup Krasniqit dhe tri shkronjave të UÇK-së, në Negroc të Drenasit.

“Nga kjo portë, hyrje-dalje, kanë dalë e kanë hyrë komandanti legjendar, Fehmi Lladrovci, e qindra e qindra dëshmorë e bashkëluftëtarë e bashkëveprimtarë për të sjellë Kosovën ku jemi ne këtu sot”, u shpreh Limaj.

Ai theksoi se Kosova ka nevojë për më shumë mirënjohje dhe respekt ndaj njerëzve që kanë kontribuar për vendin.

“Kosova më shumë se kurrë sot i duhet mirënjohja, në çdo kohë e në çdo vend, na duhet më shumë se çdo gjë tjetër të shprehim mirënjohjen dhe respektin për veprën, për angazhimin që kanë bërë njerëzit tanë, dhe ne e shohim këtë obelisk si mirënjohje për angazhimin dhe veprimtarinë e Bacit Jakup”, deklaroi ai.

Limaj më pas foli edhe për procesin në Hagë, duke përmendur Jakup Krasniqin, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin, Salih Mustafën dhe Pjetër Shalën.

“Ama beteja, beteja që atje po zhvillohet, nuk duhet të mbetet betejë vetëm e Jakupit, Hashimit, Kadrisë, Rexhës, Calit e Pjetrit. Ajo është beteja jonë e përbashkët”, tha Limaj.

Në fund, ai bëri thirrje për angazhim të përbashkët në mbrojtje të së vërtetës dhe drejtësisë.

“Gjërat nuk kanë përfunduar. Beteja vazhdon për drejtësi dhe ne duhet të gjithë së bashku t’ia japim krejt çka dimë e mundemi për t’i shërbyer të vërtetës sonë dhe drejtësisë sonë”, përfundoi Limaj. /Lajmi.net/