Kuvendi mban nesër dy seanca plenare, në rend dite rezoluta për mungesën e barnave dhe energjinë elektrike
Kuvendi i Kosovës do të mbajë të enjten, më 26 nëntor, dy seanca plenare, në të cilat pritet të shqyrtohen disa çështje të mbetura nga seancat e mëparshme, si dhe pika të reja të rendit të ditës. Seanca e parë do të nisë në orën 10:00 dhe do të jetë vazhdim i seancave të mbajtura…
Lajme
Kuvendi i Kosovës do të mbajë të enjten, më 26 nëntor, dy seanca plenare, në të cilat pritet të shqyrtohen disa çështje të mbetura nga seancat e mëparshme, si dhe pika të reja të rendit të ditës.
Seanca e parë do të nisë në orën 10:00 dhe do të jetë vazhdim i seancave të mbajtura më 12, 13 dhe 19 nëntor.
Ndër çështjet që do të shqyrtohen është edhe votimi i propozim-rezolutës nga interpelanca me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, lidhur me vdekjen e pacientes me kancer të gjirit, e cila kishte mbetur katër muaj pa terapi, si dhe mungesën e barnave onkologjike.
Po ashtu, deputetët do të votojnë propozim-rezolutën për gjendjen në planifikimin, çmimin dhe furnizimin me energji elektrike në Kosovë.
Në rend dite janë edhe emërimi i anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës, zgjedhja e anëtarëve të Bordit të RTK-së, si dhe rekomandimi për shkarkimin e katër anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil.
Ndërkaq, seanca e dytë plenare do të mbahet në orën 13:00.
Në këtë seancë, përveç deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, deputetët do të shqyrtojnë edhe miratimin e buxhetit të Komisionit Parlamentar Hetimor për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje. /Lajmi.net/