Kurti numëron miliona euro investime në KEK, teksa qytetarët presin dimrin mes reduktimeve dhe faturave që ua “djegin” xhepin
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka publikuar bliancin e mandatit e dytë qeverisës duke e cilësuar Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) si një histori suksesi me qindra miliona euro investime dhe fitime neto, derisa qytetarët dhe bizneset në vend po përballen me një realitet tjetër në prag të dimrit: ndërprerje të shpeshta të energjisë…
Lajme
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka publikuar bliancin e mandatit e dytë qeverisës duke e cilësuar Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) si një histori suksesi me qindra miliona euro investime dhe fitime neto, derisa qytetarët dhe bizneset në vend po përballen me një realitet tjetër në prag të dimrit: ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike, varësi të lartë nga importi i shtrenjtë dhe fatura që ndër vite janë rritur vazhdimisht.
Në dokumentin zyrtar të publikuar së fundi nga Zyra e Kryeministrit, “Të arriturat kryesore të Qeverisë Kurti 2 (2021–2026)”, sektori i energjisë dhe KEK-u zënë vend qendror në kapitullin e ekonomisë, transmeton lajmi.net.
Ekzekutivi liston këto rezultate kryesore për KEK-un dhe energjinë:
-
Investime kapitale: 500 milionë euro të dedikuara për modernizimin dhe rehabilitimin e termocentraleve, si dhe për ndërtimin e një parku diellor me kapacitet mbi 100 MW (ky i fundit figuron ende në fazën e tenderimit).
-
Rehabilitimi i njësive: Nisja e tenderimit për rehabilitimin dhe modernizimin e njësisë A3 të Termocentralit “Kosova A”, në vlerë mbi 137 milionë euro, të financuar nga mjetet vetanake të KEK-ut.
-
Modernizimi i “Kosovës B”: Një investim prej 57.87 milionë eurosh — i cilësuar nga Qeveria si më i madhi në mbi 40 vjet — ku përfundimi i punimeve në turbinën e njësisë B2 ka shtuar 35 MW kapacitet prodhues, i ka zgjatur jetëgjatësinë për 20 vjet dhe ka ulur konsumin e qymyrit për 12 për qind, ndërsa modernizimi i njësisë B1 thuhet se është në proces.
-
Rikthimi në treg dhe auditimi: Rikthimi i KEK-ut si furnizues në treg 12 vjet pas privatizimit të distribucionit, rikthimi i auditimit nga Zyra Kombëtare e Auditimit pas më shumë se pesë vitesh, si dhe themelimi i ndërmarrjes së re publike, Korporata e Ruajtjes së Energjisë (KRE Sh.A.), për operimin e baterive 170 MW nga marrëveshja me MCC-në.
-
Subvencionimet dhe veriu: Ndarja e 120 milionë eurove për subvencionimin e faturave (për konsumin deri në 800 kWh dhe bizneset) dhe ndalimi i pagesës së energjisë së shpenzuar në katër komunat veriore nga qytetarët e pjesës tjetër të vendit, një barrë që qeveria e vlerëson në 348 milionë euro që nga paslufta.
Realiteti në terren: Reduktime dhe gjenerator edhe për vetë KEK-un
Megjithatë, kjo pasqyrë optimiste e dokumentit qeveritar bie ndesh me përditshmërinë e javëve dhe muajve të fundit në Kosovë. Gjatë tetorit dhe nëntorit 2026, Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) ka publikuar pothuajse çdo ditë orare të ndërprerjeve të rrymës në dhjetëra komuna — nga Prishtina, Peja e Prizreni, deri në Mitrovicë, Gjilan e Ferizaj. Këto reduktime, të cilat në shumë zona po zgjasin nga 5 deri në 8 orë brenda ditës, zyrtarisht po arsyetohen me “punime të domosdoshme për sigurinë e sistemit, mirëmbajtje preventive dhe konvertim të tensionit”.
Ironikisht, nga pasiguria e furnizimit nuk ka shpëtuar as vetë prodhuesi kryesor i rrymës në vend. Në fillim të nëntorit 2026, mediat raportuan se vetë KEK-u ka iniciuar procedurat për blerjen e një agregati (gjeneratori) me vlerë 26,550 euro.
Në të njëjtën kohë, njësitë prodhuese të KEK-ut po hyjnë në sezonin dimëror me probleme teknike dhe vonesa.
Teksa njësia B1 e “Kosovës B” vazhdon të jetë jashtë funksionit për shkak të punimeve në elektrofiltra — vonesa të cilat u konfirmuan edhe nga Bashkimi Evropian në mesin e nëntorit — njësia A4 e “Kosovës A” u rikthye në operim vetëm më 13 nëntor, pas rënieve të njëpasnjëshme nga sistemi, ndërsa rikthimi i njësisë A5 mbetet ende në pritje.
Kostoja e importit dhe paralajmërimet për dimër të vështirë
Mungesa e prodhimit vendor dhe rënia e kapaciteteve kanë rritur ndjeshëm varësinë e Kosovës nga tregjet e jashtme. Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) dhe raportimet ekonomike tregojnë një rritje dramatike të importit:
-
Vetëm në periudhën janar–tetor 2026, Kosova ka paguar mbi 205 milionë euro për importin e energjisë elektrike.
-
Vetëm brenda shtatë ditëve, nga 28 tetori deri më 3 nëntor 2026, kostoja e importit arriti në rreth 14.9 milionë euro.
-
Sipas analizave të tregut energjetik, nga viti 2021 deri në shtator të vitit 2026, Kosova ka shpenzuar mbi 1 miliard euro (1.03 miliard) për blerjen e rrymës nga jashtë, me një kulm prej 259 milionë eurosh vetëm gjatë vitit 2025, kur prodhimi vendor ra për 12.6 për qind.
Vetë ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në deklarimet e saj në nëntor 2026, e pranoi se vendin e pret një “dimër i vështirë” energjetik, duke paralajmëruar se çmimet e importit në bursa mund të kapin vlerën deri në 500 euro për megavat-orë (MWh) dhe duke u bërë thirrje qytetarëve për kursim maksimal të energjisë.
Shtrenjtimi i rrymës ndër vite dhe tarifat e reja ndëshkuese
Paralelisht me reduktimet dhe krizën e prodhimit, xhepi i konsumatorëve kosovarë është goditur disa herë radhazi nga vendimet e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) gjatë pesë viteve të fundit:
-
Viti 2022: Pas shpërthimit të krizës globale energjetike, ZRrE-ja miratoi strukturën e re tarifore me bllok-tarifën prej 800 kWh, duke dyfishuar çmimin e energjisë për konsumatorët që tejkalojnë këtë prag.
-
Viti 2023: Në pranverë të këtij viti, ZRrE-ja vendosi për një shtrenjtim të ri të tarifave të energjisë elektrike për 15.4 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.
-
Viti 2025: Pas një viti pa rritje në 2024, në pranverën e vitit 2025 ZRrE-ja aprovoi një tjetër rritje të faturave prej 16.1 për qind, vendim që nxiti protesta qytetare dhe reagime të ashpra nga komuniteti i biznesit për shkak të efektit zinxhir në rritjen e çmimeve të produkteve bazë.
-
Tarifat shtesë të vitit 2026: Përveç çmimit të kilovatit, nga shtatori i vitit 2026 konsumatorët që vonohen me pagesën e faturave përballen me një ndëshkim të dyfishtë: krahas tarifës prej 17.70 eurosh për shkyçje nga rrjeti (e aplikuar nga viti 2023), KEDS-i dhe KESCO kanë nisur të aplikojnë edhe tarifën tjetër prej 17.70 eurosh për rikyçje, duke e çuar koston e penalizimit në 35.40 euro.
Ndërsa rritja e konsumit dimëror dhe varësia nga importi i shtrenjtë po rëndojnë bilancet e operatorëve energjetikë, ekspertët e ekonomisë dhe përfaqësuesit e bizneseve tashmë kanë ngritur alarmin se viti 2027 mund të sjellë një valë të re të shtrenjtimit të rrymës, duke e lënë Kosovën të mbërthyer mes raporteve qeveritare për “investime historike” dhe faturave që bëhen çdo vit e më të papërballueshme./Lajmi.net/