47 mijë gra dhe vajza u vranë nga partnerët ose anëtarë të familjes në vitin 2025 në mbarë botën

Femicidi dhe dhuna në familje mbeten një nga sfidat më serioze sociale dhe të sigurisë në mjaft vende. Në vitin 2025 u vranë në mbarë botën nga partnerët e tyre ose nga anëtarë të familjes rreth 47.000 gra dhe vajza. Në raportin e publikuar nga Zyra e OKB-së për Drogën dhe Krimin (UNODC) dhe UN…

Bota

25/11/2026 09:57

Femicidi dhe dhuna në familje mbeten një nga sfidat më serioze sociale dhe të sigurisë në mjaft vende. Në vitin 2025 u vranë në mbarë botën nga partnerët e tyre ose nga anëtarë të familjes rreth 47.000 gra dhe vajza.

Në raportin e publikuar nga Zyra e OKB-së për Drogën dhe Krimin (UNODC) dhe UN Women me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, thuhet se megjithëse kjo shifër është më e ulët se shifra prej rreth 50.000 viktimash në vitin 2024, kjo nuk duhet të interpretohet si rënie e dhunës.

Të dhënat tregojnë se shtëpia mbetet vendi më i rrezikshëm për gratë dhe vajzat.

Nga rreth 78.000 femicide të regjistruara në botë gjatë vitit 2025, 60 për qind u kryen nga partnerë ose të afërm të ngushtë. Si pasojë e dhunës nga partnerët ose familjarët humbasin jetën mesatarisht 129 gra çdo ditë.

Afrika me numrin më të lartë të viktimave

Asnjë rajon i botës nuk konsiderohet i sigurt nga kjo formë e dhunës. Afrika regjistroi numrin më të lartë të femicideve të kryera nga partnerë ose familjarë, me rreth 22.000 viktima gjatë vitit 2025. Pas saj renditet Azia me 15.000 viktima, Amerika Veriore dhe Jugore me 7.400, Evropa me 2.100 dhe Oqeania me 300.

Asnjë rajon i botës nuk konsiderohet i sigurt nga dhuna ndaj grave.Fotografi: CHROMORANGE/BilderBox/picture alliance

Vlerësimet janë bazohen në statistikat e 122 vendeve dhe rajoneve.

Numri i femicideve bie më ngadalë se vrasjet e tjera

Sipas OKB-së shkalla e vrasjeve në mbarë botën është në rënie, por femicidet po zvogëlohen me ritëm mjaft më të ngadaltë. Në Evropë, për shembull, numri i vrasjeve ra me 43 për qind ndërmjet viteve 2010 dhe 2025, ndërsa numri i femizideve ra vetëm me 28 për qind.

Rritje e dhunës ndaj grave në Gjermani

Qeveria gjermane dhe Zyra Federale për Krimet (BKA) publikuan gjithashtu të dhëna të reja që tregojnë një rritje të vazhdueshme të dhunës ndaj grave në Gjermani.

Gjatë vitit të kaluar në Gjermani u bënë viktima të dhunës në familje, gati 198.000 gra dhe vajza, pra 2,8 për qind më shumë se një vit më parë. Sipas BKA-së si pasojë e dhunës në familje humbën jetën 209 gra ose vajza dhe 83 burra ose djem.

Të dhënat tregojnë se shtëpia mbetet vendi më i rrezikshëm për gratë dhe vajzat.Fotografi: Frank Hoermann/SVEN SIMON/IMAGO

Të dhënat tregojnë se dhuna ndaj grave është rritur sërish në të gjitha kategoritë e regjistruara, duke e bërë femicidin dhe dhunën në familje një nga sfidat më serioze sociale dhe të sigurisë në shumë vende të botës./DW/