Arian Tahiri: Të gjithë ishim kundër që Ligji për Specialen të kthehej në Kuvend

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, ka deklaruar se të gjithë deputetët e kësaj partie, por edhe Kryesia e saj, fillimisht ishin kundër kthimit të Ligjit për Gjykatën Speciale në Kuvend për lexim të tretë. I ftuar në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, Tahiri tha se PDK-ja e kishte…

Lajme

25/11/2026 09:26

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, ka deklaruar se të gjithë deputetët e kësaj partie, por edhe Kryesia e saj, fillimisht ishin kundër kthimit të Ligjit për Gjykatën Speciale në Kuvend për lexim të tretë.

I ftuar në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, Tahiri tha se PDK-ja e kishte kundërshtuar këtë nismë, por kishte ndryshuar qëndrim pas kërkesave dhe vlerësimeve të ekspertëve që e përcjellin procesin gjyqësor në Hagë.

“Secili deputet i PDK-së ka qenë kundër që ligji të kthehet, asnjë nuk ka qenë për që ligji të kthehet në lexim të tretë dhe edhe Kryesia ka qenë kundër. PDK-ja ka qenë kundër që ligji të kthehet në lexim të tretë”, deklaroi Tahiri.

Ai tha se vendimi për ta rishqyrtuar këtë çështje erdhi pasi, sipas tij, ekspertë kompetentë i bindën se kthimi i ligjit ishte në dobi të procesit dhe mundësonte plotësime që do ta fuqizonin atë.

“Pasi është votuar ligji, ne kemi pranuar kërkesa, vlerësime nga njerëzit kompetentë, ekspertë kompetentë që merren dhe e përcjellin me vëmendje procesin gjyqësor në Hagë. Dhe kur kemi pranuar kërkesë e cila na ka bindur që është në dobi të procesit, e fuqizon ligjin, ne kemi pranuar të ulemi dhe të analizojmë e diskutojmë bashkërisht”, u shpreh ai.

Tahiri tha se PDK-ja ishte e vetëdijshme se ky vendim mund t’i kushtonte politikisht dhe t’ia dëmtonte reputacionin, por sipas tij, partia kishte vendosur që interesi i procesit gjyqësor të ishte mbi interesat politike.

“Ne kemi qenë të vetëdijshëm që politikisht kthimi i ligjit ka me dëmtu reputacionin e PDK-së, mirëpo a po duam me kontribu në procesin në Apel apo me përdorë ligjin për kartë politike? Ne prej fillimit kemi thënë se Apeli, UÇK-ja janë të të gjithëve, jo të PDK-së”, tha Tahiri.

Ai e cilësoi 16 shtatorin si “ditë të zezë për kombin”, duke thënë se pas asaj date PDK-ja iu përgjigj një kërkese të ardhur nga qytetarët dhe të mbështetur, sipas tij, nga vlerësimet e njerëzve kompetentë.

Tahiri theksoi se çështja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë e tejkalon interesin e një partie politike.

“Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi janë në betejë kombëtare, jo në betejë politike”, përfundoi ai.