CIA-ja goditet nga një sulm i dyshuar kibernetik

Një sistem i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës amerikane (CIA) është komprometuar nga një sulm kibernetik, raporton Associated Press. Një burim në dijeni të incidentit, i cili ka folur në kushte anonimiteti, ka bërë të ditur se sulmi nuk ka prekur informacione të klasifikuara dhe se problemi tashmë është zgjidhur. Sulmi ka prekur një sistem që…

Lajme

25/11/2026 08:35

Një sistem i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës amerikane (CIA) është komprometuar nga një sulm kibernetik, raporton Associated Press.

Një burim në dijeni të incidentit, i cili ka folur në kushte anonimiteti, ka bërë të ditur se sulmi nuk ka prekur informacione të klasifikuara dhe se problemi tashmë është zgjidhur.

Sulmi ka prekur një sistem që merret me mbledhjen dhe analizimin e informacioneve nga burime të hapura, përfshirë internetin, satelitët komercialë dhe ofruesit privatë të të dhënave.

Megjithëse këto informacione janë kryesisht publike ose pjesërisht publike, ato mund t’u ofrojnë analistëve të inteligjencës njohuri të rëndësishme, veçanërisht kur kombinohen me të dhënat e siguruara përmes programeve të klasifikuara të spiunazhit.

Ende nuk dihet se cilat informacione janë komprometuar dhe kush qëndron prapa sulmit, për të cilin fillimisht raportoi të martën The New York Times.

Incidenti vjen pas një serie ndërprerjesh teknologjike që kanë ngritur shqetësime në SHBA.

Javën e kaluar, një rrjet i brendshëm i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare (NSA), që përdoret për komunikimin e informacioneve të klasifikuara, doli përkohësisht jashtë funksionit. Ndërkohë, FBI-ja po heton një sulm të dyshuar ndaj një baze kombëtare të të dhënave të organeve të zbatimit të ligjit.

Probleme teknologjike gjatë këtij muaji kanë prekur edhe trafikun ajror amerikan dhe kompanitë Apple, JPMorgan Chase dhe Microsoft.

Këto incidente kanë rikthyer në vëmendje cenueshmërinë e infrastrukturës kritike, sistemeve bankare dhe platformave digjitale që përdoren çdo ditë nga miliona njerëz.

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka deklaruar se ndërprerjet nuk janë pjesë e një sulmi të koordinuar kibernetik.

Sipas administratës, një pjesë e madhe e problemeve lidhen me përpjekjet për përditësimin e sistemeve dhe mbrojtjen nga hakerët, të cilët tashmë përdorin mjete të avancuara të inteligjencës artificiale për të kryer sulme në përmasa të paprecedenta.