Kurti: Kosova është më vete, por jo e mosvarur ndaj kombit shqiptar, prandaj marrëdhëniet me Shqipërinë i kemi konsideruar gjithnjë vëllazërore
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, me rastin e 114-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor. Në fjalimin e tij para të pranishmëve, Kurti ka folur për rëndësinë historike të 28 Nëntorit, rrugëtimin e shqiptarëve drejt lirisë dhe…
Lajme
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, me rastin e 114-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor.
Në fjalimin e tij para të pranishmëve, Kurti ka folur për rëndësinë historike të 28 Nëntorit, rrugëtimin e shqiptarëve drejt lirisë dhe pavarësisë, si dhe marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
Ai ka theksuar se shpallja e Pavarësisë në Vlorë më 1912 mbetet një prej aspiratave themelore të kombit shqiptar.
Duke folur për raportet ndërmjet dy shteteve, Kurti ka deklaruar se Kosova është shtet më vete, por mbetet e lidhur ngushtë me kombin shqiptar.
“Republika e Kosovës është më vete, por jo e mëvetësishme ndaj kombit shqiptar, prandaj marrëdhëniet me Republikën e Shqipërisë i kemi konsideruar gjithnjë vëllazërore dhe strategjike për kombin tonë mbarë, por njëkohësisht edhe për paqen e sigurinë në Evropën Juglindore”, ka thënë Kurti.
Ai ka bërë të ditur se ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë janë nënshkruar, zbatuar apo janë në proces zbatimi gjithsej 190 marrëveshje, të cilat përfshijnë fusha si arsimi, ekonomia, energjia, infrastruktura, bujqësia, shëndetësia, siguria, kultura dhe diaspora.
Kurti ka përmendur edhe aspiratën e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe NATO, duke theksuar se institucionet po ndërmarrin hapa për realizimin e këtyre synimeve.
Në fjalimin e tij, kryeministri ka kujtuar edhe ndihmën e aleatëve perëndimorë në çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet e Bashkimit Evropian dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë.
Ai ka folur edhe për kontributin e Kosovës në sigurinë ndërkombëtare, duke përmendur mbështetjen ndaj Ukrainës dhe investimet në fushën e mbrojtjes.
Në fund të fjalimit, Kurti ka përmendur ngjarjet dhe datat historike që, sipas tij, përbëjnë themelet e identitetit dhe historisë kombëtare shqiptare, përfshirë Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, Kongresin e Manastirit, shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Lidhja Shqiptare e Prizrenit më 10 qershor 1878, Kongresi i Alfabetit në Manastir më 22 nëntor 1908 dhe 28 Nëntori i shumëfishtë – i Flamurit dhe Skënderbeut në Krujë në 1443, i Pavarësisë së Shqipërisë dhe Ismail Qemalit në Vlorë në 1912, e i UÇK-së e kryekomandantit Adem Jashari në Drenicë në fund të shekullit të kaluar – janë dhe do të jenë përgjithmonë themelet e kombit tonë”, ka deklaruar Kurti.
Në fund, ai ka uruar qytetarët e Kosovës, shqiptarët kudo që jetojnë dhe miqtë ndërkombëtarë për Ditën e Flamurit. /Lajmi.net/