30 ditë paraburgim ndaj të dyshuarit për ngacmim s*ksual ndaj një të miture në Fushë Kosovë
Gjykata Themelore në Prishtinë, Dega në Fushë Kosovë, ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të pandehurit me inicialet L.Z., i dyshuar për veprën penale të ngacmimit seksual. Sipas njoftimit të gjykatës, vendimi është marrë pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe mbajtjes së seancës dëgjimore nga gjyqtarja e procedurës paraprake. I…
Lajme
Gjykata Themelore në Prishtinë, Dega në Fushë Kosovë, ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të pandehurit me inicialet L.Z., i dyshuar për veprën penale të ngacmimit seksual.
Sipas njoftimit të gjykatës, vendimi është marrë pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe mbajtjes së seancës dëgjimore nga gjyqtarja e procedurës paraprake.
I pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale të ngacmimit seksual, të përcaktuar në nenin 183, paragrafi 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjykata ka vlerësuar se paraburgimi është masa e nevojshme në këtë fazë të procedurës, pasi ekziston rreziku që i dyshuari, nëse lihet në liri, të ndikojë te e dëmtuara e mitur, e cila është dëshmitarja kryesore në këtë rast, si dhe te familja e saj.
“Gjykata vlerëson se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate, pasi ekziston rreziku që i pandehuri nëse lihet në liri, të ndikojë në të dëmtuarën e mitur, e cila është dëshmitarja kryesore në këtë çështje penale apo në çfarëdo mënyre edhe tek familja e të dëmtuarës”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, gjykata ka vlerësuar se ekziston mundësia që i pandehuri të përsërisë veprime të ngjashme ndaj të miturës nëse lihet në liri.
“Duke pasur parasysh rrethanat dhe mënyrën e kryerjes së veprës penale, kjo masë tani për tani mbetet e vetmja masë e cila mund të përmbushë qëllimin e masës për sigurimin e të pandehurit në procedurë”, thuhet tutje në njoftimin e gjykatës.
Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.
I pandehuri prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim përfundimtar të gjykatës. /Lajmi.net/