Rriten çmimet e prodhimit, uji, pijet dhe energjia ndër sektorët me rritjen më të madhe

Çmimet e prodhimit në Kosovë janë rritur për 5,9 për qind në tremujorin e tretë të vitit 2026, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Sipas të dhënave të publikuara sot nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), Indeksi i Çmimeve të Prodhimit ka shënuar rritje prej 1,2 për qind edhe krahasuar me tremujorin…

Lajme

24/11/2026 15:23

Çmimet e prodhimit në Kosovë janë rritur për 5,9 për qind në tremujorin e tretë të vitit 2026, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Sipas të dhënave të publikuara sot nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), Indeksi i Çmimeve të Prodhimit ka shënuar rritje prej 1,2 për qind edhe krahasuar me tremujorin e dytë të këtij viti.

Në nivel vjetor, rritja më e madhe është regjistruar në sektorin e grumbullimit, trajtimit dhe furnizimit me ujë, me 32,2 për qind, pasuar nga prodhimet e tjera të paklasifikuara me 26,1 për qind, prodhimi i pijeve me 20,1 për qind, prodhimi i letrës dhe produkteve prej saj me 15,5 për qind dhe nxjerrja e xehes së metalit me 11,4 për qind.

Rritje prej 7,3 për qind është regjistruar në sektorin e energjisë elektrike, gazit, avullit dhe furnizimit me ajër të kondicionuar, ndërsa në përpunimin e produkteve ushqimore çmimet janë rritur për 4,2 për qind.

Shtrenjtim është evidentuar edhe në prodhimin e produkteve të gomës dhe plastikës me 4,4 për qind, metaleve me 3,6 për qind dhe mobilieve me 3,1 për qind.

24Komunikatë për Media – Indeksi i Çmimeve të Prodhimit (IÇP) TM3 2026.docx

Në anën tjetër, ulja më e madhe vjetore e çmimeve është regjistruar në prodhimin e veshjeve, me 6 për qind, pasuar nga prodhimi i mjeteve motorike, rimorkiove dhe gjysmërimorkiove me 3,6 për qind.

Krahasuar me tremujorin paraprak, çmimet në sektorin e energjisë elektrike, gazit, avullit dhe furnizimit me ajër të kondicionuar janë rritur për 4,9 për qind, ndërsa në përpunimin e produkteve ushqimore për 1 për qind.

Sipas tabelës së ASK-së, Indeksi i Çmimeve të Prodhimit në tremujorin e tretë të vitit 2026 ka arritur në 126,8 pikë, që nënkupton se çmimet e prodhimit janë për 26,8 për qind më të larta krahasuar me mesataren e vitit 2021.

Grafika per prodhimet