Lëndimi i ushtarit të FSK-së shkakton debat në Komision, opozita kërkon sqarime për municionin

Lëndimi i një pjesëtari të Forcës së Sigurisë së Kosovës gjatë një aktiviteti stërvitor në poligonin ushtarak në Babaj të Bokës ka nxitur debat mes deputetëve të pozitës dhe opozitës në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes. Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka kërkuar që Komisioni t’i drejtohet me shkrim Ministrisë së Mbrojtjes, duke…

Lajme

24/11/2026 12:53

Lëndimi i një pjesëtari të Forcës së Sigurisë së Kosovës gjatë një aktiviteti stërvitor në poligonin ushtarak në Babaj të Bokës ka nxitur debat mes deputetëve të pozitës dhe opozitës në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka kërkuar që Komisioni t’i drejtohet me shkrim Ministrisë së Mbrojtjes, duke kërkuar auditim dhe hetim të plotë për incidentet e raportuara në FSK.

Ai ka ngritur veçanërisht çështjen e municionit, duke kërkuar sqarime se kush është përgjegjës për blerjen, kontrollin e cilësisë dhe lejimin e përdorimit të tij.

“Mendoj që kërkesa jonë duhet të jetë tepër e qartë, duhet të ketë auditim dhe hetim të plotë, për atë se kush i ka blerë, nëse është problemi te municioni, kush e ka blerë municionin, kush e ka ba kontrollin e cilësisë, dhe kush e lejon për përdorim”, ka deklaruar Ramadani.

Ai ka theksuar se Komisioni nuk duhet të presë që të ndodhë një tragjedi për të kërkuar përgjegjësi dhe sqarime nga institucionet.

“Ne nuk duhet të presim që dikush ta humbë jetën në FSK për shkaqe të tilla që pastaj të veprojmë”, ka thënë ai.

Ndërkaq, kryetari i Komisionit, Mefail Bajqinovci, ka thënë se lëndimet gjatë aktiviteteve stërvitore mund të ndodhin, duke iu referuar edhe takimit të mëparshëm me komandantin e FSK-së dhe ministrin e Mbrojtjes.

“Ndodhin këto probleme, ama të thuhet që të bëhet hetim për çështjen e trajnimeve, sepse gjithmonë do të ketë lëndime. Këtë na e ka thënë edhe komandanti i FSK-së, edhe ministri i Mbrojtjes gjatë takimit të cilin e kishim”, është shprehur Bajqinovci.

Ai ka shtuar se Komisioni mund të kërkojë informacione nga ministri i Mbrojtjes dhe komandanti i FSK-së lidhur me rastin.

Në anën tjetër, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sali Zyba, ka kundërshtuar atë që e ka konsideruar si përcaktim të veprimeve që duhet të ndërmarrë Ministria e Mbrojtjes.

“Ne mundemi me ba pyetje Ministrisë, por jo me tendenca se çfarë me ba ministria”, ka deklaruar Zyba.

Ndërsa deputeti i PDK-së, Rrahman Rama, ka vlerësuar se institucionet duhet të japin sqarime për incidentet, por ka theksuar se kontrolli dhe mirëmbajtja e municionit duhet të trajtohen përmes procedurave standarde operative të FSK-së.

“Duhet të rishikohet që ky municion, domethënë, që po ndodhin si shpesh, ekspertët ta vlerësojnë se në çfarë gjendje, në çfarë kushte janë duke u mirëmbajtur ato, a janë me standarde tamam çfarë duhet të jenë”, ka thënë Rama.

Ai ka shtuar se Komisioni duhet të marrë informacion të drejtpërdrejtë nga Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-ja, në mënyrë që edhe opinioni publik të informohet për këto raste.

Edhe deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka mbështetur kërkesën për sqarime, duke thënë se përsëritja e incidenteve duhet të jetë shqetësuese.

“Mos e merrni çdo kërkesë tonën si tendencioze në këtë komision. E shoh shumë të arsyeshme, janë çështje që ndodhin, por kur çështjet përsëriten, është shqetësim për ne”, ka deklaruar Musliu.

Gjatë diskutimit, Zyba ka përsëritur se Komisioni duhet të kërkojë informacione për rastet, por pa ndërhyrë në procedurat e brendshme të institucioneve të sigurisë.

“Unë jam me kërku informatë, veç kaq është puna jonë”, ka thënë ai.

Pas diskutimeve, kryetari i Komisionit, Mefail Bajqinovci, ka tentuar të lexojë njoftimin e publikuar nga FSK-ja për rastin, por deputetët e opozitës kanë kërkuar që të merren sqarime të drejtpërdrejta nga Ministria e Mbrojtjes, me arsyetimin se njoftimi tashmë është publik.

Ndryshe, sipas njoftimit të FSK-së, një pjesëtar i kësaj force është lënduar më 23 nëntor 2026 gjatë një aktiviteti stërvitor në poligonin ushtarak në Babaj të Bokës në Gjakovë. FSK-ja ka bërë të ditur se gjendja shëndetësore e tij është stabile. /Lajmi.net/