”A blen KEK-u rrymë?”, pyetja e Sadikut nxit debat me deputetët e LVV-së
Çështja e blerjes së energjisë elektrike nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka nxitur debat mes deputetëve të pozitës dhe opozitës. Gjatë shqyrtimit të Raportit Vjetor të Punës së Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për vitin 2025, në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ermal Sadiku,…
Lajme
Çështja e blerjes së energjisë elektrike nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka nxitur debat mes deputetëve të pozitës dhe opozitës.
Gjatë shqyrtimit të Raportit Vjetor të Punës së Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për vitin 2025, në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ermal Sadiku, kërkoi sqarime nga anëtarët e Bordit të ZRRE-së nëse KEK-u blen energji elektrike.
Sadiku iu referua deklarimeve publike të përfaqësuesve të pushtetit, sipas të cilëve KEK-u nuk blen energji elektrike.
“Disa prej deputetëve këtu dalin e thonë KEK-u nuk blen rrymë, edhe ministri, ministrja del thotë KEK-u nuk blen rrymë”, deklaroi Sadiku.
Ndaj deklaratës së tij reagoi deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Taulant Kelmendi, i cili tha se kanë deklaruar se blihet energji elektrike, por në sasi të vogla.
“Po, ne kemi thënë që në masë të vogël blen rrymë, i kemi thënë”, u shpreh Kelmendi.
Ndërhyrja e Kelmendit nxiti debat mes deputetëve, në të cilin u përfshi edhe deputeti i LVV-së, Ilir Kërçeli, duke kundërshtuar Sadikun.
Për të sqaruar çështjen, kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Driton Gojani, shpjegoi se KEK-u nominon në baza ditore sasinë e energjisë që ka në dispozicion, ndërsa në rast të rënies së prodhimit, obligohet të sigurojë energjinë e nominuar.
“Desha vetëm të sqaroj se KEK-u nominon në baza ditore energjinë në dispozicion dhe, për atë pjesë që nominon, në rast se ka rënie, obligohet, por kjo është për disa orë”, sqaroi Gojani.
Gojani po vazhdon raportimin në Komisionin për Ekonomi.