Abdixhiku përkujton Sebahate Tolajn dhe Isuf Haklajn në 23-vjetorin e vrasjes: Drejtësia ende mbetet obligim

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka kujtuar policët Sebahate Tolaj dhe Isuf Haklaj, të cilët u vranë më 24 nëntor 2003 në një pritë në Raushiq të Pejës. Në 23-vjetorin e vrasjes së tyre, Abdixhiku ka vlerësuar kontributin e dy ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe zyrtarëve të Shërbimit Policor…

Lajme

24/11/2026 12:34

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka kujtuar policët Sebahate Tolaj dhe Isuf Haklaj, të cilët u vranë më 24 nëntor 2003 në një pritë në Raushiq të Pejës.

Në 23-vjetorin e vrasjes së tyre, Abdixhiku ka vlerësuar kontributin e dy ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe zyrtarëve të Shërbimit Policor të Kosovës, duke theksuar se ata u vranë në kohën kur po merreshin me hetimin e disa vrasjeve të pasluftës në rajonin e Dukagjinit, transmeton lajmi.net.

Përmes një reagimi publik, kreu i LDK-së rikujtoi se Tolaj dhe Haklaj po hetonin, ndër të tjera, vrasjen e kolonel Tahir Zemajt dhe atë të Smajl Hajdarajt.

Ai theksoi se vetëm pak ditë para se të vritej, Sebahate Tolaj kishte shprehur optimizëm se hetimet për vrasjen e kolonel Zemajt po i afroheshin zbardhjes. Megjithatë, tri ditë më vonë, ajo dhe kolegu i saj u vranë në pritë.

Sipas Abdixhikut, vrasja e dy zyrtarëve nuk përbënte vetëm humbjen e dy pjesëtarëve të institucioneve të sigurisë, por edhe një goditje të rëndë ndaj përpjekjeve për vendosjen e drejtësisë dhe konsolidimin e shtetit ligjor në Kosovë.

Ai ka nënvizuar se, edhe pas më shumë se dy dekadash, zbardhja e plotë e këtij rasti dhe identifikimi i përgjegjësve mbeten detyrime që institucionet nuk duhet t’i lënë pas dore.

Në fund të reagimit, Abdixhiku ka shprehur respekt për jetën dhe veprën e Sebahate Tolajt dhe Isuf Haklajt, duke theksuar se familjet e tyre dhe shoqëria kosovare meritojnë zbardhjen e së vërtetës dhe vendosjen e drejtësisë./lajmi.net/