Iu mori para qytetarëve duke pretenduar se vuante nga leukemia, arrestohet një person në Gjilan

Prokuroria Themelore në Gjilan, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka arrestuar një person me inicialet E.A., i dyshuar për mashtrim, pasi dyshohet se kishte organizuar një fushatë për mbledhjen e parave duke pretenduar rrejshëm se vuante nga sëmundja e leukemisë akute. Sipas njoftimit të Prokurorisë, i dyshuari dyshohet se që nga 9 nëntori 2026…

Lajme

22/11/2026 16:04

Prokuroria Themelore në Gjilan, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka arrestuar një person me inicialet E.A., i dyshuar për mashtrim, pasi dyshohet se kishte organizuar një fushatë për mbledhjen e parave duke pretenduar rrejshëm se vuante nga sëmundja e leukemisë akute.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, i dyshuari dyshohet se që nga 9 nëntori 2026 kishte sajuar një ngjarje të pavërtetë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror. Ai kishte hapur edhe një llogari në platformën “GoFundMe”, përmes së cilës kishte kërkuar ndihmë financiare nga qytetarët në Kosovë dhe diasporë, kinse për shërim dhe rehabilitim.

Nga kjo fushatë dyshohet se janë grumbulluar gjithsej 189 mijë e 206 euro e 8 cent.

Pas verifikimit të historisë së tij, autoritetet kanë konstatuar se i dyshuari nuk vuante nga sëmundja për të cilën kishte kërkuar ndihmë financiare.

Me të marrë informacionet e para, Prokuroria dhe Policia kanë ndërmarrë veprime hetimore, duke bllokuar fillimisht paratë e grumbulluara në të gjitha llogaritë bankare të identifikuara në kuadër të rastit. Ndërkohë, i dyshuari ishte vendosur në kërkim policor.

Ai është arrestuar më 21 nëntor 2026, rreth orës 22:00, ndërsa me vendim të prokurorit të shtetit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Prokuroria Themelore në Gjilan ka bërë të ditur se brenda afatit ligjor do të paraqesë kërkesë në Gjykatën Themelore në Gjilan për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.

Rasti po hetohet për veprën penale të “Mashtrimit”, nga neni 323 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.