Qeveria e Kosovës kujton 118-vjetorin e Kongresit të Manastirit

Qeveria e Republikës së Kosovës ka shënuar 118-vjetorin e Kongresit të Manastirit, duke nderuar kontributin e atdhetarëve dhe intelektualëve shqiptarë që hodhën themelet e alfabetit të përbashkët të gjuhës shqipe. Në një njoftim për media, ekzekutivi ka vlerësuar rëndësinë historike të këtij kongresi, i cili shënoi një moment të rëndësishëm në bashkimin kombëtar dhe në…

Lajme

22/11/2026 15:57

Qeveria e Republikës së Kosovës ka shënuar 118-vjetorin e Kongresit të Manastirit, duke nderuar kontributin e atdhetarëve dhe intelektualëve shqiptarë që hodhën themelet e alfabetit të përbashkët të gjuhës shqipe.

Në një njoftim për media, ekzekutivi ka vlerësuar rëndësinë historike të këtij kongresi, i cili shënoi një moment të rëndësishëm në bashkimin kombëtar dhe në zhvillimin arsimor e kulturor të shqiptarëve.

Në veçanti, Qeveria ka kujtuar figurat që kontribuuan në këtë ngjarje historike, përfshirë Mithat Frashërin, kryetar të Kongresit, Gjergj Fishtën, kryetar të Komisionit të Alfabetit, si dhe Parashqevi Qiriazin, Luigj Gurakuqin, Ndre Mjedën, Shahin Kolonjën dhe Gjergj Qiriazin.

Po ashtu, është vlerësuar kontributi i Sevastie Qiriazit, familjes Qiriazi, klubit “Bashkimi” të Manastirit dhe shoqërive e klubeve shqiptare që ndihmuan në realizimin e kësaj vepre.

Sipas Qeverisë, Kongresi i Manastirit dëshmoi rëndësinë e organizimit dhe të dijes në shërbim të lirisë, duke kapërcyer dallimet për një qëllim të përbashkët: mësimin, shkrimin dhe zhvillimin e gjuhës shqipe.

Në këtë përvjetor, ekzekutivi ka theksuar se përgjegjësia e institucioneve sot është ruajtja dhe avancimi i gjuhës shqipe përmes arsimit cilësor, mbështetjes për mësimdhënësit, librit dhe shkencës, si dhe krijimit të mundësive për mësimin e shqipes në mërgatë.

“Bashkimi që u ndërtua përmes shkronjave duhet të thellohet përmes dijes dhe mundësive të barabarta për çdo brez”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës, e cila ka përmbyllur urimin me rastin e Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe. /Lajmi.net/