Rutte: NATO do të mbrojë çdo centimetër të territorit polak
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka siguruar se Aleanca Veri-Atlantike do të mbrojë territorin e Polonisë, pas raportimeve për shkeljen e hapësirës ajrore të këtij vendi nga objekte të dyshuara ruse. Rutte e bëri këtë deklaratë gjatë një vizite zyrtare në Varshavë, një ditë pasi autoritetet polake njoftuan se tri objekte të dyshuara…
Bota
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka siguruar se Aleanca Veri-Atlantike do të mbrojë territorin e Polonisë, pas raportimeve për shkeljen e hapësirës ajrore të këtij vendi nga objekte të dyshuara ruse.
Rutte e bëri këtë deklaratë gjatë një vizite zyrtare në Varshavë, një ditë pasi autoritetet polake njoftuan se tri objekte të dyshuara ruse, përfshirë dy raketa dhe një dron, kishin hyrë në hapësirën ajrore të vendit.
“Unë mund të garantoj se NATO do të mbrojë çdo centimetër të territorit polak”, deklaroi Rutte, sipas agjencisë polake të lajmeve PAP, transmeton Reuters.
Kreu i NATO-s bëri të ditur se komandanti suprem i forcave të Aleancës në Evropë, gjenerali Alexus Grynkewich, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për identifikimin e kërcënimeve të mundshme dhe përshtatjen e kapaciteteve mbrojtëse.
Incidenti ka shtuar shqetësimet për sigurinë në krahun lindor të NATO-s, në një kohë kur janë raportuar vazhdimisht raste të shkeljes së hapësirës ajrore të vendeve anëtare nga dronë, që prej fillimit të luftës në Ukrainë, transmeton lajmi.net.
Hyrja e objekteve të dyshuara ruse në hapësirën ajrore polake ndodhi të premten, në kohën kur Polonia po zhvillonte stërvitje ushtarake me pjesëmarrjen e shteteve të “Koalicionit të Vullnetit”, të cilat mbështesin Ukrainën.
Zyrtarët polakë kanë vlerësuar se koha e këtij incidenti nuk ishte e rastësishme, duke ngritur shqetësime për qëllimet e Rusisë.
Ndërkohë, Këshilli i Atlantikut të Veriut pritet të mblidhet të hënën në Bruksel për të shqyrtuar incidentin, vlerësuar rrezikun e përshkallëzimit dhe diskutuar hapat e mëtejmë të Aleancës./lajmi.net/