Protestë në Bruksel: Komisionerit evropian për Shëndetësi i hedhin hi gjatë fjalimit në Samitin Evropian kundër Kancerit

Një incident ka ndodhur të enjten, më 19 nëntor, në Bruksel, gjatë Samitit Evropian kundër Kancerit, ku komisionerit evropian për Shëndetësi dhe Mirëqenie të Kafshëve, Olivér Várhelyi, i është hedhur hi teksa po mbante fjalim. Veprimi protestues është ndërmarrë nga Fleur Breteau, bashkëthemeluese e kolektivit “Cancer Angry”, e cila kundërshton përdorimin e pesticideve dhe ndryshimet…

Bota

19/11/2026 21:33

Një incident ka ndodhur të enjten, më 19 nëntor, në Bruksel, gjatë Samitit Evropian kundër Kancerit, ku komisionerit evropian për Shëndetësi dhe Mirëqenie të Kafshëve, Olivér Várhelyi, i është hedhur hi teksa po mbante fjalim.

Veprimi protestues është ndërmarrë nga Fleur Breteau, bashkëthemeluese e kolektivit “Cancer Angry”, e cila kundërshton përdorimin e pesticideve dhe ndryshimet e propozuara në legjislacionin e Bashkimit Evropian, raporton lajmi.net.

“Këto janë hirin e atyre që do t’i vrisni me pesticidet e Omnibus X”, ka deklaruar Breteau gjatë protestës.

Pas këtij veprimi, ajo dhe Loïc, një tjetër anëtar i organizatës, janë larguar nga vendi i incidentit.

Aksioni është organizuar në bashkëpunim me Konfederatën e Fshatarëve, Kolektivin për Viktimat e Pesticideve në Inditë Perëndimore (CSVPO) dhe lëvizjen “Soulèvements de la Terre” (Kryengritjet e Tokës).

Protesta është pjesë e një fushate kundër miratimit nga Bashkimi Evropian të paketës legjislative “Omnibus X”.

Sipas organizatave protestuese, kjo paketë rrezikon të përkeqësojë ndjeshëm ekspozimin ndaj substancave kimike dhe problemet shëndetësore që ato i lidhin me përdorimin e pesticideve, përfshirë rastet e kancerit.

Organizatat kërkojnë që institucionet evropiane të mos miratojnë ndryshime që, sipas tyre, do të dobësonin mbrojtjen e shëndetit publik nga kimikatet e rrezikshme./Lajmi.net/