Spitali i Gjakovës jep detaje për plaçkitjen në Çarshinë e Madhe, një person i plagosur nga arma e zjarrit

Tre persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Spitalin e Përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë, pas incidentit me armë zjarri që ndodhi rreth orës 17:00 në Çarshinë e Madhe. Sipas njoftimit të spitalit, tre personat, një burrë dhe dy gra, janë paraqitur në Emergjencë rreth orës 17:10. Nga spitali kanë bërë të ditur se personi i…

Lajme

16/11/2026 21:03

Tre persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Spitalin e Përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë, pas incidentit me armë zjarri që ndodhi rreth orës 17:00 në Çarshinë e Madhe.

Sipas njoftimit të spitalit, tre personat, një burrë dhe dy gra, janë paraqitur në Emergjencë rreth orës 17:10.

Nga spitali kanë bërë të ditur se personi i gjinisë mashkullore ka pësuar lëndim nga arma e zjarrit në gishtin e parë të këmbës së djathtë.

Pas ekzaminimit radiologjik, te ai është evidentuar prania e një trupi të huaj në këmbën e djathtë dhe është pranuar për trajtim spitalor.

Gjendja e tij shëndetësore është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.

Ndërkaq, dy gratë e tjera nuk kanë pasur lëndime trupore, por kanë qenë të shqetësuara nga ngjarja. Pas trajtimit të nevojshëm, ato janë liruar nga spitali.

Spitali ka bërë të ditur se, sipas informacioneve të marra më vonë, rasti lidhet me një plaçkitje në Çarshinë e Madhe të Gjakovës.

Për detajet dhe rrethanat e tjera të ngjarjes, spitali u ka bërë thirrje qytetarëve që t’u referohen njoftimeve të organeve kompetente. /Lajmi.net/