Dosja e Belinda Ballukut, SPAK: Dëmtoi buxheti i shtetit 5 miliardë lekë
Mbi 5 miliardë lekë është dëmi ekonomik që dyshohet se i është shkaktuar buxhetit të shtetit nga 10 procedura tenderimi, të cilat kanë qene objekt i hetimeve të SPAK ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe personave të tjerë të përfshirë në këtë çështje. Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet dhe ka depozituar në gjykatë kërkesën për…
Lajme
Mbi 5 miliardë lekë është dëmi ekonomik që dyshohet se i është shkaktuar buxhetit të shtetit nga 10 procedura tenderimi, të cilat kanë qene objekt i hetimeve të SPAK ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe personave të tjerë të përfshirë në këtë çështje.
Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet dhe ka depozituar në gjykatë kërkesën për gjykimin e dosjes penale. Shifra e dëmit ekonomik u bë publike nga prokurorët e çështjes gjatë një komunikimi informal me gazetarët.
Kreu i SPAK, Klodian Braho së bashku me dy prokurorët e çështjes, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko dhanë detaje mbi përfundimin e hetimeve dhe dërgimin e dosjes për gjykim.
Prokurori Dritan Prençi konfirmoi se kërkesa për gjykimin e çështjes ndaj Belinda Ballukut është depozituar në Gjykatën e Posaçme.
Në këtë dosje, ish-zëvendëskryeministrja është marrë e pandehur së bashku me 25 persona fizikë dhe dy persona juridikë, ndërsa hetimet kanë përfshirë në total 10 procedura tenderimi.
Akuzat
Kujtojmë që më 20 tetor 2026, SPAK i komunikoi Ballukut pesë akuza që lidhen me disa procedura tenderimi dhe pasuri të paluajtshme.
Ajo akuzohet për: Shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, në bashkëpunim, në nëntë raste, korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike, korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë, mosdeklarim fshehje ose deklarim të rremë të pasurisë në dy raste, pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale në lidhje me dy pasuri të paluajtshme, akuzat për tenderat përfshijnë procedurën e ndërtimit të tunelit të Llogarasë si dhe disa procedura të tjera publike, mes tyre edhe lote të Unazës së Madhe në Tiranë.
Dy vila luksoze te sekuestruara
Po ashtu, Belinda Ballukut i janë sekuestruar edhe dy vila luksozë në zonën e Dhërmiut dhe Palasës.
SPAK ka ngritur dyshime për pastrim parash lidhur me këto prona, të cilat dyshohet se janë regjistruar në emër të ish-futbollistit Igli Tare.
Në këtë pjesë të hetimit përmendet edhe biznesmeni Arbër Abazi, ndërsa prokuroria dyshon për lidhje mes përfitimeve të paligjshme nga procedurat publike dhe investimeve në pasuri të paluajtshme.