Astrit Haraqija sot para Gjykatës, avokati: Nuk ka prova që e lidhin me rastin, vendim i ligjshëm do të ishte të mos i caktohej paraburgimi

Ish-ministri i Kosovës, Astrit Haraqija, është arrestuar ditën e djeshme në kuadër të një operacionit policor “Heshtja”, që u zhvillua kundër një grupi të dyshuar për trafikim të kokainës në rajonin e Prishtinës. Lajmin për arrestimin e tij dje e ka konfirmuar avokati i tij, Korab Bokshi. “Po, është arrestuar. Kemi bërë ankesë kundër vendimit…

Lajme

16/11/2026 11:18

Ish-ministri i Kosovës, Astrit Haraqija, është arrestuar ditën e djeshme në kuadër të një operacionit policor “Heshtja”, që u zhvillua kundër një grupi të dyshuar për trafikim të kokainës në rajonin e Prishtinës.

Lajmin për arrestimin e tij dje e ka konfirmuar avokati i tij, Korab Bokshi.

“Po, është arrestuar. Kemi bërë ankesë kundër vendimit për ndalim”, ka deklaruar Bokshi dje për lajmi.net.

Haraçija do të dal para Gjykatës sot, si seanca fillestare ku pritet të vendoset nëse ai do të qëndroj 30 ditë në paraburgim apo jo.

Këtë për lajmi.net e ka konfirmuar Bokshi sot, i cili ka thënë se seanca ishte caktuar për sot në ora 11:00.

Ai ka thënë se në lidhje me këtë rast, vendim i ligjshëm do të ishte të mos i caktohej paraburgimi.

“Të shohim, se kemi ende në dispozicion as kërkesën. Duke i marrë parasysh veprimet dhe deklarimet e z.Haraçijës, ma merr mendja që do të ishte vendim i ligjshëm të mos i caktohej masa e paraburgimit të tij.  Sipas deklarimeve dhe provave që më janë dorëzu deri më tash, nuk ka diçka që e lidh z.Haraçija me këtë çështje. E shohim në vazhdim”, ka thënë Bokshi në një përgjigje për lajmi.net.

Haraqija dyshohet se është arrestuar në kuadër të operacionit “Heshtja”, të realizuar më 14 nëntor 2026 nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.

Gjatë këtij operacioni janë arrestuar gjithsej gjashtë persona të dyshuar, ndërsa policia ka sekuestruar rreth 1.6 kilogramë kokainë dhe asete të ndryshme, përfshirë vetura luksoze, para të gatshme dhe ora të shtrenjta, me vlerë të përgjithshme të vlerësuar rreth 301 mijë euro.

Të dyshuarit janë dërguar në ndalim policor për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin janë duke vazhduar. /Lajmi.net/