Gjashtë vjet burg dhe 3 mijë euro gjobë për trafikim me njerëz në Gjakovë, viktima u detyrua të punonte në disa lokale me muzikë
Gjykata Themelore në Gjakovë, përkatësisht Departamenti i Krimeve të Rënda, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj një personi me inicialet A.P., i akuzuar për veprën penale “Trafikimi me njerëz”. Pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, gjyqtari Samedin Cena e ka shpallur fajtor të akuzuarin, duke e dënuar me gjashtë vjet burgim dhe 3 mijë euro gjobë. Sipas…
Lajme
Gjykata Themelore në Gjakovë, përkatësisht Departamenti i Krimeve të Rënda, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj një personi me inicialet A.P., i akuzuar për veprën penale “Trafikimi me njerëz”.
Pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, gjyqtari Samedin Cena e ka shpallur fajtor të akuzuarin, duke e dënuar me gjashtë vjet burgim dhe 3 mijë euro gjobë.
Sipas njoftimit të gjykatës, i pandehuri akuzohet se nga marsi i vitit 2021 deri më 30 janar 2024, në Gjakovë dhe lokacione të tjera, ka trafikuar një grua nga Prishtina, me qëllim të shfrytëzimit për përfitim.
Sipas aktakuzës, kontakti fillestar mes të pandehurit dhe viktimës ishte krijuar përmes rrjeteve sociale, ndërsa më pas ata ishin takuar në lokalin e tij në Deçan.
Pas kësaj, ai e kishte sjellë viktimën për të punuar në lokalin e tij në Gjakovë, ndërsa gjatë periudhës së mëvonshme e kishte dërguar për punë edhe në lokale me muzikë live në Pejë, fshatin Volljak të Klinës dhe sërish në Gjakovë.
Gjykata bën të ditur se gjatë kësaj periudhe, e dëmtuara ishte detyruar të punonte kundër vullnetit të saj, ndërsa të gjitha të ardhurat nga puna i merrte i pandehuri.
Sipas përshkrimit të rastit, kur paratë nga puna nuk merreshin drejtpërdrejt nga lokalet, i pandehuri e detyronte viktimën t’ia mbulonte edhe obligimet e tij financiare, përfshirë qiranë e lokalit, pagat e punëtorëve dhe këstet mujore të kredisë.
Në njoftim thuhet se trafikimi ishte kryer përmes kanosjes, përdorimit të forcës, punës së detyruar dhe formave të tjera të dhunës e kontrollit, të shoqëruara me maltretim fizik dhe psikik.
Dënimi me gjobë prej 3 mijë eurosh do të ekzekutohet 30 ditë pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. /Lajmi.net/