Kalon mocioni i PDK-së, Ligji për Specialen vendoset në rend dite
Kuvendi i Kosovës ka miratuar mocionin për përfshirjen e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në rendin e ditës së seancës së sotme. Mocioni ka marrë mbështetjen e 79 deputetëve, ndërsa nuk ka pasur asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim. Pas miratimit të mocionit, Ligji për Specialen është përfshirë si…
Lajme
Kuvendi i Kosovës ka miratuar mocionin për përfshirjen e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në rendin e ditës së seancës së sotme.
Mocioni ka marrë mbështetjen e 79 deputetëve, ndërsa nuk ka pasur asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.
Pas miratimit të mocionit, Ligji për Specialen është përfshirë si pika e 11-të e rendit të ditës, ku pritet të shqyrtohet dhe të hidhet në votim nga deputetët.
Vlora Çitaku nga PDK më pas kërkoi që kjo pikë të vendoset menjëherë pas pyetjeve parlamentare, por kryetarja Albulena Haxhiu i tha të mos “teprohet” me kërkesa për t’i respektuar dhe qëndrimet e partive të tjera.
Ky zhvillim vjen pas dakordimit të arritur ndërmjet PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje që ligji të procedohet në Kuvend në formën aktuale, pa ndryshime në këtë fazë.
Kujtojmë se ligji ishte miratuar më 6 tetor në Kuvend, por më pas ishte kthyer për rishqyrtim nga presidentja e vendit. Për miratimin e tij në këtë fazë dhe tejkalimin e vetos presidenciale nevojiten 61 vota. /Lajmi.net/
