Kurti takohet me Macronin në Paris, kërkon mbështetjen e Francës për statusin e kandidatit në BE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pritur në takim nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në Pallatin Élysée në Paris. Gjatë takimit, dy liderët kanë diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Francës, procesin e integrimit euroatlantik të Kosovës dhe çështjet e sigurisë në rajon, transmeton lajmi.net. Përmes një njoftimi, Kurti ka vlerësuar raportet…

Lajme

11/11/2026 21:52

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pritur në takim nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në Pallatin Élysée në Paris.

Gjatë takimit, dy liderët kanë diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Francës, procesin e integrimit euroatlantik të Kosovës dhe çështjet e sigurisë në rajon, transmeton lajmi.net.

Përmes një njoftimi, Kurti ka vlerësuar raportet ndërmjet dy vendeve, duke theksuar se Franca ka qenë aleate e Kosovës që nga lufta për çlirim dhe pavarësi dhe vazhdon të jetë partnere e rëndësishme e saj.

Kryeministri ka bërë të ditur se gjatë bisedës me Macronin ka kërkuar mbështetjen e Francës për avancimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian.

“Biseduam për mundësi të reja bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Francës, për integrimin tonë euroatlantik dhe për sigurinë në rajon. Theksova rëndësinë e mbështetjes së Francës për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, ka deklaruar Kurti.

Një tjetër temë e diskutuar ishte edhe mbrojtja e fëmijëve nga rreziqet që lidhen me përdorimin gjithnjë e më të madh të teknologjisë.

Kurti ka shprehur vlerësimin e tij për nismën e presidentit francez në këtë drejtim, duke rikujtuar se kjo çështje ishte trajtuar edhe në Forumin e Paqes në Paris, ku Kosova iu bashkua Deklaratës Politike të Samitit të Fëmijëve.

Deklarata synon mbrojtjen e mirëqenies, të drejtave dhe të ardhmes së brezave të rinj.

Në përfundim, Kurti ka theksuar se Kosova dhe Franca do të vazhdojnë bashkëpunimin në fushën e paqes, zhvillimit ekonomik dhe integrimit në të ardhmen e përbashkët evropiane.

Njoftimi i plotë:

Kryeministri Kurti pritet në takim nga Presidenti i Francës, Macron

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është takuar me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, në Pallatin Élysée.

Kryeministri Kurti tha se Franca ka qenë aleate e fuqishme e Kosovës që nga lufta jonë për çlirim dhe pavarësi dhe mbetet partnere e afërt dhe e rëndësishme e vendit tonë.

“Biseduam për mundësi të reja bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Francës, për integrimin tonë euroatlantik dhe për sigurinë në rajon. Theksova rëndësinë e mbështetjes së Francës për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, tha kryeministri Kurti.

Kryeministri Kurti shprehu gjithashtu vlerësimin për nismën e Presidentit Macron për mbrojtjen e fëmijëve nga rreziqet që lidhen me përdorimin gjithnjë e më të madh të teknologjisë.

Kjo çështje ishte në qendër të Forumit të Paqes në Paris këtë vit, ku Republika e Kosovës iu bashkua Deklaratës Politike të Samitit të Fëmijëve për mbrojtjen e mirëqenies, të drejtave dhe të ardhmes së brezave të rinj.

Kryeministri Kurti shtoi se Kosova dhe Franca do të vazhdojnë të punojnë së bashku për paqe, zhvillim ekonomik dhe një të ardhme të përbashkët evropiane./lajmi.net/