KEK-u reagon para protestës së sindikatës: Kërkesat e punëtorëve do t’i shqyrtojmë pas stabilizimit të situatës
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka reaguar lidhur me paralajmërimin për protestë nga njëra prej sindikatave të punëtorëve, duke thënë se kërkesat e tyre janë diskutuar në takimet e zhvilluara mes Bordit, Menaxhmentit dhe përfaqësuesve sindikalë. Në një komunikatë për media, KEK-u ka bërë të ditur se gjatë kësaj jave janë mbajtur dy takime me…
Lajme
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka reaguar lidhur me paralajmërimin për protestë nga njëra prej sindikatave të punëtorëve, duke thënë se kërkesat e tyre janë diskutuar në takimet e zhvilluara mes Bordit, Menaxhmentit dhe përfaqësuesve sindikalë.
Në një komunikatë për media, KEK-u ka bërë të ditur se gjatë kësaj jave janë mbajtur dy takime me dy sindikata, në kuadër të dialogut social, ku janë diskutuar çështje që lidhen me mirëqenien dhe kërkesat e punonjësve, transmeton lajmi.net.
Sipas Korporatës, menaxhmenti është zotuar se do t’i shqyrtojë kërkesat e punëtorëve, varësisht nga mundësitë financiare.
KEK-u ka përmendur edhe masat e ndërmarra gjatë vitit 2026, duke bërë të ditur se në prill punëtorëve u është ndarë bonus prej 300 eurosh, ndërsa paga bazë është rritur për 60 euro për secilin punonjës.
Megjithatë, sipas komunikatës, njëra nga sindikatat ka vendosur të mos e vazhdojë dialogun me punëdhënësin dhe ka paralajmëruar organizimin e një proteste.
Korporata ka theksuar se e respekton të drejtën e punëtorëve për organizim sindikal dhe protestë, por ka kërkuar që të merret parasysh rëndësia e KEK-ut si pjesë e infrastrukturës kritike të vendit.
“KEK Sh.A. është pjesë vitale e infrastrukturës kritike të Republikës së Kosovës dhe se të gjithë duhet të sillemi në përputhje me këto përgjegjësi”, thuhet në komunikatë.
Duke iu referuar situatës aktuale në sektorin energjetik, Korporata ka thënë se prioritet duhet të jetë përfundimi i projekteve kapitale, modernizimi i kapaciteteve prodhuese dhe ruajtja e vazhdimësisë së prodhimit të energjisë elektrike në termocentralet Kosova A dhe Kosova B, si dhe nxjerrja e thëngjillit në minierë.
Sa u përket kërkesave të punëtorëve, KEK-u ka paralajmëruar se ato do të trajtohen pas tejkalimit të sfidave aktuale dhe stabilizimit të proceseve operative.
“Menaxhmenti i KEK-ut mbetet i përkushtuar që, pas tejkalimit të sfidave aktuale dhe stabilizimit të proceseve operacionale, të përqendrohet në shqyrtimin e mundësive konkrete për adresimin e kërkesave të punonjësve”, thuhet në reagim.
Në fund, Korporata ka përsëritur se trajtimi i kërkesave sindikale duhet të bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe mundësitë financiare të ndërmarrjes, duke theksuar se sfidat aktuale kërkojnë angazhim të përbashkët të punëtorëve dhe menaxhmentit./lajmi.net/