Çfarë lidhje ka Lëvizja Revolta me deputetin e AAK-së, Burim Ramadani?
Lëvizja Revolta, e cila muajt e fundit ka organizuar disa aksione dhe protesta para institucioneve të Kosovës, ka një lidhje familjare me deputetin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, përmes njërit prej përfaqësuesve të saj. Bëhet fjalë për Rilind Kuçin, përfaqësues të kësaj lëvizjeje, i cili, sipas informacioneve është familjar i afërt i…
Lajme
Lëvizja Revolta, e cila muajt e fundit ka organizuar disa aksione dhe protesta para institucioneve të Kosovës, ka një lidhje familjare me deputetin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, përmes njërit prej përfaqësuesve të saj.
Bëhet fjalë për Rilind Kuçin, përfaqësues të kësaj lëvizjeje, i cili, sipas informacioneve është familjar i afërt i deputetit Ramadani.
Më konkretisht, babai i Rilind Kuçit është djali i hallës së Burim Ramadanit.
Me 6 gusht të këtij viti kjo lëvizje ka mbajtur një protestë para Kuvendit të Kosovës, ku ka kërkuar, sipas saj, mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit shtetëror të Republikës së Kosovës.
Gjatë protestës, organizatorët kanë paraqitur tri kërkesa kryesore drejtuar institucioneve të vendit.
Kërkesa e parë ka qenë publikimi i numrit të aplikimeve dhe shtetësive të fituara nga shtetasit e Serbisë në bazë të Ligjit për Shtetësinë e Republikës së Kosovës.
Po ashtu, protestuesit kanë kërkuar shfuqizimin e Ligjit nr. 10/L-023 për Shtetësinë e Republikës së Kosovës, si dhe shfuqizimin e nenit 155 të Kushtetutës së Kosovës.
Sipas përfaqësuesve të Lëvizjes Revolta, këto kërkesa kanë për qëllim mbrojtjen e sovranitetit, shtetësisë dhe të ardhmes së vendit.
Organizatorët kanë deklaruar se protesta nuk ka karakter partiak dhe se aktivitetet e tyre nuk janë të lidhura me ndonjë subjekt politik.
Ata u kanë bërë thirrje qytetarëve që t’u bashkohen kërkesave të tyre dhe të mbështesin iniciativat e lëvizjes.
Megjithatë, lidhja familjare e njërit prej përfaqësuesve të Revoltës me deputetin e AAK-së, Burim Ramadani, ngre pyetje nëse ekziston ndonjë bashkëpunim mes tyre përtej raporteve familjare./Lajmi.net/