Maqedonci: Partneriteti me SHBA-në mbetet thelbësor për sigurinë e Kosovës
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, është takuar të hënën me të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati. Përmes një postimi në Facebook, Maqedonci ka bërë të ditur se gjatë takimit është diskutuar për forcimin e mëtejmë të partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së në fushën e…
Lajme
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, është takuar të hënën me të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati.
Përmes një postimi në Facebook, Maqedonci ka bërë të ditur se gjatë takimit është diskutuar për forcimin e mëtejmë të partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së në fushën e mbrojtjes, si dhe për vazhdimin e mbështetjes amerikane në zhvillimin dhe avancimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Ai ka bërë të ditur se vëmendje e veçantë i është kushtuar prioriteteve të Ministrisë së Mbrojtjes për katërvjeçarin e ardhshëm.
Në këtë kuadër, sipas Maqedoncit, është diskutuar edhe për planifikimin strategjik të fazës pas përmbushjes së kapaciteteve të plota të FSK-së dhe përfundimit të planit dhjetëvjeçar të tranzicionit.
“Partneriteti me Shtetet e Bashkuara mbetet thelbësor për avancimin e kapaciteteve tona mbrojtëse dhe për forcimin e kontributit të Kosovës në paqen, sigurinë dhe stabilitetin rajonal e ndërkombëtar”, ka shkruar Maqedonci.