LDK thotë se presidentja largoi fotografinë e Rugovës nga Presidenca, kërkon rikthimin e saj dhe të Deklaratës së Pavarësisë
Lidhja Demokratike e Kosovës ka deklaruar se e konsideron të papranueshëm vendimin e Presidentes Shiroka-Pula për largimin nga vendet e nderit në Presidencë të fotografisë së Presidentit Ibrahim Rugova dhe të Deklaratës së Pavarësisë, të vendosura përkatësisht nga Presidentja Osmani dhe Presidenti Sejdiu. LDK në një njoftim për media tha se Presidenca është institucion shtetëror…
Lajme
Lidhja Demokratike e Kosovës ka deklaruar se e konsideron të papranueshëm vendimin e Presidentes Shiroka-Pula për largimin nga vendet e nderit në Presidencë të fotografisë së Presidentit Ibrahim Rugova dhe të Deklaratës së Pavarësisë, të vendosura përkatësisht nga Presidentja Osmani dhe Presidenti Sejdiu.
LDK në një njoftim për media tha se Presidenca është institucion shtetëror ku nderohen themeluesit e shtetit dhe aktet mbi të cilat është ndërtuar ai.
“Fotografia e Atit Themelues të Republikës së Kosovës dhe Deklarata e Pavarësisë kanë domethënie historike e shtetërore. Trajtimi i tyre si elemente dekorative që mund të zëvendësohen me vepra arti është i gabuar dhe i papranueshëm.Presidenti Ibrahim Rugova përfaqëson udhëheqjen historike të përpjekjes së Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci. Deklarata e Pavarësisë shpreh vullnetin e popullit të Kosovës për shtet të pavarur e sovran. Nderimi i tyre në institucionin e Presidencës është shprehje e respektit ndaj historisë dhe identitetit shtetëror të Kosovës”,thuhet në reagim.
Sipas LDK-së largimi i këtyre dy simboleve cenon këtë respekt institucional.
“Presidenca ka përgjegjësi të ruajë vazhdimësinë e shtetit dhe të nderojë trashëgiminë e tij. Kjo përgjegjësi tejkalon mandatin e secilit president dhe duhet të pasqyrohet edhe në mënyrën se si paraqitet shteti në hapësirat e tij zyrtare, para qytetarëve dhe përfaqësuesve të huaj.”
Gjithashtu përmend një reagimi për media, LDK-ja kërkon rishikimin e këtij vendimi dhe rikthimin e fotografisë së Presidentit Ibrahim Rugova dhe të Deklaratës së Pavarësisë në vendet e tyre të nderit në Presidencë.
“Një veprim i tillë do të dëshmonte respektin që institucioni i Presidentit duhet të ketë ndaj themeleve të Republikës që përfaqëson.”./Lajmi.net/