Raporti i BE-së për Kosovën, këto pritet të jenë fushat e progresit dhe të ngecjeve

Kriza e zgjatur politike dhe institucionale në Kosovë pritet të reflektohet edhe në Raportin e Komisionit Evropian për vitin 2026, i cili pritet të publikohet zyrtarisht më 4 nëntor. Sipas draft-raportit që është bërë publik dhe vlerësimeve të njohësve të integrimit evropian, Kosova nuk pritet të shënojë përparim të theksuar në shumicën e fushave që…

Lajme

03/11/2026 14:58

Kriza e zgjatur politike dhe institucionale në Kosovë pritet të reflektohet edhe në Raportin e Komisionit Evropian për vitin 2026, i cili pritet të publikohet zyrtarisht më 4 nëntor. Sipas draft-raportit që është bërë publik dhe vlerësimeve të njohësve të integrimit evropian, Kosova nuk pritet të shënojë përparim të theksuar në shumicën e fushave që vlerësohen nga Bashkimi Evropian.

Në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit, sipas tyre, vendi pritet të marrë vlerësime për mungesë të progresit të theksuar, ndërsa sfidat në zbatimin e reformave dhe forcimin e mekanizmave të përgjegjësisë institucionale vazhdojnë të mbeten evidente. Ndërkaq, të njëjtit thonë se, bazuar në qasjen preliminare, për herë të parë Raporti për Kosovën pritet të përfshijë edhe vlerësimin e harmonizimit të politikës së jashtme të Kosovës me atë të Bashkimit Evropian.

Hulumtuesja në Grupin për Studime Juridike dhe Politike, Arbëresha Loxha, thotë për KosovaPress se pritjet janë që raporti i këtij viti të mos sjellë ndryshime substanciale në vlerësimin e progresit të Kosovës, për shkak të gjendjes politike dhe institucionale në vend që ishte vitet e fundit.

Ajo thekson edhe arsyet që kanë ndikuar në pamundësinë e vazhdimit të reformave dhe zbatimit të rekomandimeve të Komisionit Evropian nga raportet e mëparshme.

“Nuk presim asnjë ndryshim substancial nga raporti i vitit të kaluar. Edhe nëse nuk do të kishim një qasje preliminare në raport, edhe vetë pritjet tona nuk do të ishin se Kosova ka shënuar një progres të theksuar në fushat që raporti për vendin nga BE-ja i vlerëson për Kosovën. Nuk pritet që Kosova të ketë progres në funksionimin e institucioneve demokratike, marrë parasysh se Kosova ka qenë në një krizë të tejzgjatur politike dhe polarizim të tejskajshëm të spektrit politik në vend. Kjo natyrisht e ka pamundësuar që institucionet të ndërmarrin reforma dhe të vazhdojnë tutje në progres në fushat në të cilat Kosova ka iniciuar reforma apo ka derivuar si rekomandim nga raportet e kaluara. Mosfunksionimi i Kuvendit, qeveria në detyrë, e kanë pamundësuar progresin në shumë reforma. Pritjet janë që nuk do të theksohet progres i mjaftueshëm në fushën e sundimit të ligjit, luftimin e korrupsionit dhe pak progres pritet të theksohet në lëvizjen e lirë të kapitalit, por e njëjta nuk pritet të jetë në lëvizjen e mallrave dhe punëtorëve… Për herë të parë ky raport pritet të vlerësojë përshtatshmërinë ose përputhjen e politikës së jashtme të Kosovës me atë të BE-së, ndonëse në të kaluarën Kosova e ka bërë duke mos pasur obligim. Tani pritet që e njëjta të jetë pjesë e raportit për vendin. Gjithashtu, në këtë raport do të vlerësohet edhe progresi në dialogun Kosovë-Serbi dhe veprimet e Kosovës që janë ndërmarrë karshi veriut dhe Urës së Ibrit”, deklaroi Loxha.

Edhe analisti politik Blerim Canaj vlerëson se mungesa e progresit në Raportin për Kosovën nuk është e papritur, duke pasur parasysh gjendjen e institucioneve të Kosovës gjatë më shumë se dy vjetëve të fundit. Sipas tij, bazuar në draft-raportin e publikuar, mosfunksionimi institucional, mungesa e përgjegjësisë dhe paqartësitë në ndarjen e kompetencave kanë pamundësuar trajtimin e reformave dhe avancimin e vendit në fusha të ndryshme.

Sipas tij, në rrethanat e krijuara politike dhe institucionale, pritja për një vlerësim dukshëm më pozitiv të Kosovës në raportin e këtij viti do të ishte jorealiste.

“Në fakt, nuk është se është dashur të presim diçka tjetër, pasi të gjithë e dimë që për më shumë se dy vjet ne de facto e kemi pasur shtetin jofunksional. Ne e dimë me çështjet që jemi marrë dhe askush nuk e ka përmendur dhe pasur mundësi për të përmendur një progres. Shto edhe faktin e mungesës së kompetencave të personave pastaj, zinxhiri i përgjegjësisë ka qenë i dështuar dhe në këtë kontekst vështirë se duhet të prisnim diçka tjetër. Si duket, më e rëndësishme ka qenë kapja e institucioneve gjatë asaj periudhe dhe jo definitivisht që të shikohet që shteti të arrijë progres në çfarëdo fushe qoftë. Prandaj e kemi këtë raport siç e kemi dhe flitet në raport për pengesa për shkak të mungesës së institucioneve. Ajo që më bëri përshtypje është se janë vërejtur liria e mediave, shprehjes së lirë dhe shumë e shumë çështje të tjera. Do të ishte iluzore që ne të prisnim diçka më pozitive”, theksoi ai.

Ndërkaq, ish-diplomati Albert Prenkaj vë në pah ngecjet e Kosovës në procesin e integrimit evropian, duke theksuar se draft-raporti evidenton mungesën e përparimit të prekshëm në disa fusha. Sipas tij, kjo gjendje është reflektuar edhe në aspektin financiar, me humbjen e 43.8 milionë eurove nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian.

Prenkaj veçon gjithashtu mungesën e funksionimit të rregullt të institucioneve dhe vështirësitë në komunikimin me faktorin ndërkombëtar. Ndërkaq, sa i përket dialogut Kosovë–Serbi, ai thekson se raporti kërkon përmbushjen e obligimeve që dalin nga marrëveshja e vitit 2023 dhe aneksi i zbatimit të saj në Ohër.

“Draft-raporti i progresit i Komisionit Evropian për vitin 2026 tregon se Kosova nuk ka shënuar ndonjë përparim të dukshëm në rrugën e saj evropiane, kryesisht për shkak të një krize të tejzgjatur politike dhe një parlamenti të paralizuar. Kryefjala e raportit është “progres i limituar”, “nuk ka progres”. Duke mos qenë zyrtarisht vend kandidat, sipas raportit të progresit për këtë vit, Kosova renditet ndër vendet që nuk kanë shënuar ndonjë përparim të prekshëm. Dalja në tri palë zgjedhje brenda vitit shkaktoi mangësi të institucioneve të udhëhequra nga qeveri legale dhe legjitime, mungesë të Kuvendit, pamundësi të komunikimit me faktorin ndërkombëtar në mënyrë transparente dhe shtetërore”, tha Prenkaj në një përgjigje me shkrim për KosovaPress.

Komisioni Evropian, përmes këtij raporti vjetor, vlerëson përmbushjen e reformave në fusha si demokracia, sundimi i ligjit, funksionimi i institucioneve, të drejtat themelore, ekonomia, administrata publike dhe përafrimi me politikën e jashtme të BE-së. Vlerësimi nuk mat vetëm progresin e arritur gjatë vitit, por edhe nivelin e përgatitjes së secilit vend për anëtarësim.

Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2026 vjen në një periudhë kur procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian po merr një dinamikë të re, ndërsa vendet e Ballkanit Perëndimor vazhdojnë të kenë ritme të ndryshme të përparimit drejt anëtarësimit në BE.