Policia jep detaje për rastin tragjik në Gjilan, konfirmon vdekjen e babait dhe foshnjës së tij në Demiraj

Policia e Kosovës ka dhënë detaje për rastin tragjik që ndodhi sot në fshatin Demiraj të Gjilanit, ku u gjetën të vdekur një burrë dhe një foshnjë. Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, ka konfirmuar për lajmi.net se informacioni për rastin është pranuar rreth orës 08:47 të 1 nëntorit. “Më 01.11.2026 rreth…

Lajme

01/11/2026 13:01

Policia e Kosovës ka dhënë detaje për rastin tragjik që ndodhi sot në fshatin Demiraj të Gjilanit, ku u gjetën të vdekur një burrë dhe një foshnjë.

Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, ka konfirmuar për lajmi.net se informacioni për rastin është pranuar rreth orës 08:47 të 1 nëntorit.

“Më 01.11.2026 rreth orës 08:47 kemi pranuar informacion se në një shtëpi në fshatin Demiraj të komunës së Gjilanit, dyshohet për dy trupa të pajetë, një person i gjinisë mashkullore i vitit të lindjes 1999 dhe një foshnjë”, ka deklaruar Hashani.

Ai ka bërë të ditur se pas pranimit të informacionit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore, Prokurori i Shtetit dhe ekipi emergjent mjekësor.

“Me urgjencë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore, Prokurori i Shtetit dhe ekipi emergjent mjekësor, ku nga mjeku kujdestar është konstatuar se të dy personat janë pa shenja jete”, ka thënë ai.

Sipas Hashanit, me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupat e pajetë do të dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.

Rasti është cilësuar si “Vdekje e dyshimtë”, ndërsa Policia, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, është duke ndërmarrë veprimet operative dhe hetimore për të ndriçuar plotësisht rrethanat e ngjarjes.

Ndërkohë, burime të lajmi.net kanë bërë të ditur se personi i rritur 27 vjeçar është A.D., babai i foshnjës, dhe se dyshohet që një mjet i dyshimtë shpërthyes i ka shpërthyer në duar. /Lajmi.net/