Kurti takohet me “Koalicioni Shqiptar”: Bashkimi i tyre në Serbi solli rezultatin më të mirë që nga viti 2000
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sërish në Zyrën e Kryeministrit përfaqësues të subjekteve politike dhe aktivistë shqiptarë nga Presheva, Medvegja, Bujanoci dhe Pazari i Ri, të cilët u bashkuan në listën “Koalicioni Shqiptar”. Kurti ka thënë se bashkimi i shqiptarëve solli rezultatin më të mirë në Serbi që nga viti 2000, duke theksuar…
Lajme
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sërish në Zyrën e Kryeministrit përfaqësues të subjekteve politike dhe aktivistë shqiptarë nga Presheva, Medvegja, Bujanoci dhe Pazari i Ri, të cilët u bashkuan në listën “Koalicioni Shqiptar”.
Kurti ka thënë se bashkimi i shqiptarëve solli rezultatin më të mirë në Serbi që nga viti 2000, duke theksuar se janë siguruar 1.233 vota më shumë krahasuar me zgjedhjet e vitit 2020, transmeton lajmi.net.
“Bashkimi nuk duhet të përfundojë”, ka shkruar Kurti, duke vlerësuar se dy mandatet e fituara përfaqësojnë jo vetëm arritje të përbashkët, por edhe përgjegjësi për mbrojtjen e të drejtave dhe avancimin e barazisë së shqiptarëve në Serbi.
Ai ka përmendur gjithashtu sfidat me të cilat përballen shqiptarët atje, përfshirë pasivizimin e adresave, mosnjohjen e diplomave, diskriminimin ekonomik dhe përjashtimin nga institucionet publike.
Postimi i plotë:
Bashkë, sikurse u dakorduan më 29 shtator, prita sot sërish në Zyrën e Kryeministrit drejtues e përfaqësues të subjekteve politike, aktivistë e bashkëkombës nga Presheva, Medvegja, Bujanoci e Pazari i Ri, të cilët lanë mënjanë dallimet duke u bërë një në listën “Koalicioni Shqiptar”.
Përbashkimi solli rezultatin më të mirë të shqiptarëve në Serbi që nga viti 2000. Deri tani, plot 1.233 vota më shumë se në vitin 2020, kur u patën fituar tri mandate.
Shqiptarët, janë pakica e katërt për nga popullsia në Serbi, por në zgjedhjet e së dielës atje janë renditur të dytët për nga votat dhe të parët për nga mandatet, së bashku me hungarezët, ndër listat e pakicave kombëtare. Dy partitë më të mëdha në Serbi kanë së bashku 244 mandate. Katër listat e pakicave, gjashtë. Dy prej tyre janë të “Koalicionit Shqiptar”.
Rëndësia e rezultatit shqiptar i kalon numrat, sepse është arritur në rrethana të pasivizimit të adresave, mosnjohjes së diplomave, përjashtimit sistematik nga institucionet publike, diskriminimit ekonomik, emigrimit dhe zbrazjes së vendbanimeve shqiptare. Për më shumë se dy dekada, shqiptarët kanë qenë njëfarë opozite e dyfishtë. Opozitë ndaj pushtetit dhe opozitë ndaj shtetit, i cili e kishte vendosë veten në opozitë ndaj tyre.
Bashkimi nuk duhet të përfundojë. Duhet ta kuptojmë që më 25 tetor, bashkimi, që është cilësi e re, e ka një kapitull të ri, që duhet të vazhdojë me mbrojtje të fuqishme të të drejtave, me kërkesën për barazi dhe në përpjekjen për jetë dinjitoze në vendlindje. Dy mandatet janë arritje e përbashkët, e mbi të gjitha, janë edhe përgjegjësi e përbashkët. Aty ku janë mundësitë më të mëdha, edhe përgjegjësia është më e madhe./lajmi.net/