Kurti e kishte paralajmëruar PDK-në më 5 tetor për Ligjin e Speciales: Lëvizjet janë të ngutshme
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 5 tetor të këtij viti kishte shprehur rezerva ndaj nismës për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke e cilësuar atë si të ngutshme dhe të pamjaftueshme në aspektin e analizimit. Deklaratat e Kurtit erdhën në një kohë kur Partia Demokratike e Kosovës po kërkonte ndryshimin e këtij…
Lajme
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 5 tetor të këtij viti kishte shprehur rezerva ndaj nismës për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke e cilësuar atë si të ngutshme dhe të pamjaftueshme në aspektin e analizimit.
Deklaratat e Kurtit erdhën në një kohë kur Partia Demokratike e Kosovës po kërkonte ndryshimin e këtij ligji, ndërsa sot presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, e ktheu atë në Kuvend, pas kërkesës së kësaj partie, raporton lajmi.net
Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, Kurti kishte thënë se nuk kishte pasur kohë të mjaftueshme për ta analizuar në mënyrë të detajuar propozimin e PDK-së.
“Ka qenë një kohë shumë e shkurtër për ta analizuar si duhet ligjin, aq më tepër kur ende nuk e kemi aktgjykimin në formën e tij të prerë”, kishte deklaruar Kurti.
Ai kishte shprehur gjithashtu dyshime për dobishmërinë e ndryshimeve të propozuara, duke theksuar se nisma nuk ishte analizuar dhe menduar sa duhet.
“Ne konsiderojmë se këto lëvizje për ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale janë të ngutshme dhe nuk janë analizuar e menduar sa duhet”, ishte shprehur Kurti.
Kryeministri e kishte krahasuar këtë nismë me votimin për themelimin e Gjykatës Speciale në vitin 2015, të cilin e kishte cilësuar po ashtu si të ngutshëm.
“Atëherë nuk na keni dëgjuar. Të paktën sot do të duhej të na konsultonit dhe të na jepnit kohën e nevojshme që çështja të trajtohet shumë më seriozisht”, kishte thënë ai.
Në fund të fjalës së tij, Kurti kishte kërkuar që për çështjen e Gjykatës Speciale të hartohej një “strategji serioze për Hagën”.
Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara ishte miratuar në Kuvend më 6 tetor, ndërsa kërkesa për rikthimin e tij vjen në prag të përfundimit të afatit kushtetues për shpalljen ose kthimin e tij për rishqyrtim./Lajmi.net/