Sveçla takohet me krerët e Karabinierëve në Itali, në fokus xhandarmëria e Kosovës
Në kuadër të vizitës zyrtare në Itali, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla u prit në Komandën e Përgjithshme të Armatës së Karabinierëve, nga Shefi i Shtabit të Komandës, Gjenerali Andrea Taurelli Salimbeni. Në njoftimin për media thuhet se Sveçla shprehu mirënjohjen për kontributin e pjesëtarëve të Karabinierëve në Kosovë, në mbështetje të institucioneve…
Lajme
Në kuadër të vizitës zyrtare në Itali, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla u prit në Komandën e Përgjithshme të Armatës së Karabinierëve, nga Shefi i Shtabit të Komandës, Gjenerali Andrea Taurelli Salimbeni.
Në njoftimin për media thuhet se Sveçla shprehu mirënjohjen për kontributin e pjesëtarëve të Karabinierëve në Kosovë, në mbështetje të institucioneve të vendit dhe në funksion të ruajtjes së sigurisë, paqes dhe stabilitetit.
Temë e takimit, sipas njoftimit ishte edhe themelimi dhe zhvillimi i xhandarmërisë së Kosovës.
“Në këtë drejtim, u shkëmbyen pikëpamje mbi mundësitë për thellimin e bashkëpunimit, me fokus në shkëmbimin e përvojave dhe ekspertizës profesionale, si dhe në zbatimin e standardeve dhe praktikave më të mira për zhvillimin e kësaj komponente të sigurisë”.
“Me një traditë mbi 212 vjeçare, Armata e Karabinierëve përfaqëson një nga institucionet më të konsoliduara të sigurisë në Evropë, duke ndërthurur funksionet me disiplinën institucionale dhe përvojën e gjerë në operacionet ndërkombëtare të sigurisë dhe stabilitetit”, thuhet në njoftim.
Ministri Sveçla ka theksuar gjithashtu edhe rëndësinë e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe avancimin e mëtejmë të sigurisë në vend.
“Thellimi i partneriteteve dhe bashkëpunimi në fusha me interes të përbashkët mbeten të rëndësishme për garantimin e sigurisë, ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, si dhe mbrojtjen e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.