Kryeprokurorja e Pejës takohet me përfaqësuesit e Departamentit të Thesarit të SHBA-së
Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, ka pritur në takim përfaqësuesit e Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joseph W. Burke dhe Norman Richard Smith, këshilltarë për krimet ekonomike. Në takim, ku ishte i pranishëm edhe prokurori i shtetit dhe koordinatori për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë, Ermal Demhasaj, u…
Lajme
Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, ka pritur në takim përfaqësuesit e Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joseph W. Burke dhe Norman Richard Smith, këshilltarë për krimet ekonomike.
Në takim, ku ishte i pranishëm edhe prokurori i shtetit dhe koordinatori për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë, Ermal Demhasaj, u diskutua për luftimin e kriminalitetit financiar dhe ekonomik, me theks të veçantë në sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë së paligjshme, identifikimin e veprave penale financiare dhe parandalimin e pastrimit të parave.
Një pjesë e diskutimit iu kushtua mundësive për ofrimin e ekspertizës dhe shkëmbimin e përvojave profesionale, me qëllim të forcimit të kapaciteteve hetimore dhe institucionale të prokurorëve të shtetit
Kryeprokurorja Vuçetaj vlerësoi rëndësinë e mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në avancimin e praktikave hetimore, rritjen e cilësisë së hetimeve financiare dhe forcimin e profesionalizmit të prokurorëve.
Ajo theksoi se bashkëpunimi dhe shkëmbimi i njohurive me partnerët ndërkombëtarë janë të rëndësishëm për zbatimin e metodave profesionale në hetimin dhe ndjekjen penale të veprave që lidhen me kriminalitetin financiar dhe ekonomik.
Takimi synoi të trajtojë mundësitë për thellimin e bashkëpunimit profesional dhe forcimin e kapaciteteve të Prokurorisë Themelore në Pejë në luftën kundër krimit financiar dhe ekonomik.