Haxhiu: Kuvendit po i rikthehet gjallëria, do të angazhohemi për kompletimin e Bordit të RTK-së
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se Kuvendit po i rikthehet gjallëria, duke iu referuar zhvillimeve në seancën e sotme parlamentare. Në një postim në Facebook, Haxhiu ka thënë se gjatë seancës janë trajtuar një sërë çështjesh politike dhe me interes publik, përmes deklarimeve të grupeve parlamentare dhe shkëmbimit të pyetjeve e…
Lajme
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se Kuvendit po i rikthehet gjallëria, duke iu referuar zhvillimeve në seancën e sotme parlamentare.
Në një postim në Facebook, Haxhiu ka thënë se gjatë seancës janë trajtuar një sërë çështjesh politike dhe me interes publik, përmes deklarimeve të grupeve parlamentare dhe shkëmbimit të pyetjeve e përgjigjeve mes deputetëve dhe kabinetit qeveritar.
Ajo ka bërë të ditur se gjatë seancës është formuar Komisioni Ad Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për katër pozita në Bordin e Radio Televizionit të Kosovës (RTK).
Sipas saj, dy anëtarë do të përzgjidhen nga komuniteti shqiptar, një nga komuniteti serb dhe një nga komunitetet e tjera joshumicë.
Haxhiu ka theksuar se RTK-ja, si transmetues publik, duhet ta ketë një bord të kompletuar, ndërsa Kuvendi do të angazhohet që procesi i përzgjedhjes së kandidatëve të zhvillohet me kohë dhe në mënyrë transparente. /Lajmi.net/