Çeku flet për rezultatet e dobëta në PISA 2025, paralajmëron reformë 10-vjeçare në arsim
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, ka bërë të ditur se po punohet në strategjinë e re 10-vjeçare të arsimit, me synimin për të adresuar problemet e evidentuara në sistemin arsimor, përfshirë rezultatet e dobëta të nxënësve në testin PISA 2025. Çeku e bëri këtë të ditur në Kuvendin e Kosovës, duke iu përgjigjur…
Lajme
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, ka bërë të ditur se po punohet në strategjinë e re 10-vjeçare të arsimit, me synimin për të adresuar problemet e evidentuara në sistemin arsimor, përfshirë rezultatet e dobëta të nxënësve në testin PISA 2025.
Çeku e bëri këtë të ditur në Kuvendin e Kosovës, duke iu përgjigjur deputetes së LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, e cila kërkoi të dinte se çfarë masash konkrete ka ndërmarrë Ministria e Arsimit për të adresuar mangësitë e pasqyruara nga rezultatet e testimit.
Ministri tha se përmirësimi i aftësive të nxënësve në lexim-kuptim, matematikë dhe shkenca kërkon ndërhyrje afatgjata, por edhe masa konkrete në një periudhë më të shkurtër.
Ai bëri të ditur se strategjia e re është në fazë të avancuar të hartimit dhe se procesi po zhvillohet në bashkëpunim me sindikatat e arsimit, këshillat e prindërve dhe nxënësve, përfaqësuesit e studentëve, kolegjiumet e drejtorive komunale të arsimit dhe institucionet e tjera relevante.
“Sa i përket qasjeve sistemike, aktualisht jemi në fazën e përparuar të strategjisë së re të arsimit, ku po bëhet planifikimi strategjik i reformës së ardhshme 10-vjeçare në sektorin e arsimit”, tha Çeku.
Krahas kësaj, ai përmendi disa nga hapat konkretë që po planifikohen, përfshirë rishikimin e Kornizës Kurrikulare, rishikimin e sistemit aktual të teksteve shkollore dhe digjitalizimin e procesit mësimor.
Program kombëtar për lexim dhe matematikë
Çeku njoftoi gjithashtu se Ministria është duke hartuar një program kombëtar për lexim dhe matematikë, i cili synon të adresojë vështirësitë e nxënësve në këto fusha, të evidentuara edhe nga analiza e rezultateve të PISA 2025.
Sipas tij, ky program pritet të finalizohet në javët në vijim.
Ndërkaq, deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ngriti shqetësimin për rezultatet e dobëta të nxënësve dhe kërkoi nga ministri të tregojë se cilat masa të menjëhershme janë ndërmarrë për përmirësimin e gjendjes në sistemin arsimor. /Lajmi.net/