Kurti në Procesin e Berlinit kërkon drejtësi për të zhdukurit: Në Zubin Potok u zhvarrosën 23 trupa të shqiptarëve të vrarë nga forcat serbe

Kryeministri Albin Kurti në samitin e Procesit të Berlinit, që po mbahet në Mal të Zi, pasi kërkoi statusin e vendit kandidat për Kosovën, përmendi të zhdukurit e luftës në Kosovë, si dhe zhvarrosjen e 23 personave në Zubin Potok. Këtu ai kërkoi edhe rikthimin e zotimeve të Samitit të Londrës 2018. “Në të njëjtën…

Lajme

22/10/2026 10:55

Kryeministri Albin Kurti në samitin e Procesit të Berlinit, që po mbahet në Mal të Zi, pasi kërkoi statusin e vendit kandidat për Kosovën, përmendi të zhdukurit e luftës në Kosovë, si dhe zhvarrosjen e 23 personave në Zubin Potok.

Këtu ai kërkoi edhe rikthimin e zotimeve të Samitit të Londrës 2018.

“Në të njëjtën kohë, shpresoj që të mund t’i rikthejmë zotimet nga Samiti i Londrës i vitit 2018 lidhur me drejtësinë për krimet e kryera gjatë luftës dhe për gjetjen e personave të zhdukur. Në vendin tim janë mbi 1.500 persona të zhdukur dhe së fundmi, në komunën veriore të Zubin Potokut, kemi zhvarrosur 23 trupa të shqiptarëve që janë vrarë nga forcat serbe në prill të vitit 1999”.

Kurti para mediave në këtë samit shtoi: “Jemi optimistë për kohët që na presin, sepse bashkëpunojmë dhe vazhdojmë të jemi të angazhuar, duke u mbështetur në vlerat e Bashkimit Evropian, duke ia mbyllur derën Kremlinit dhe, në të njëjtën kohë, duke u përqendruar te rinia, punësimi dhe sundimi i ligjit”.