Të shtëna me armë në Deçan, arrestohen tre persona – policia sekuestron një pistoletë

Tre persona janë arrestuar pas të shtënave me armë zjarri në drejtim të katër personave në fshatin Strellc i Epërm të Deçanit. Rastin për Lajmi.net e ka konfirmuar togeri Sheremet Elezaj nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë. Ai ka bërë të ditur se policia është njoftuar sot, më 22 tetor, rreth orës 05:00, për…

Lajme

22/10/2026 10:10

Tre persona janë arrestuar pas të shtënave me armë zjarri në drejtim të katër personave në fshatin Strellc i Epërm të Deçanit.

Rastin për Lajmi.net e ka konfirmuar togeri Sheremet Elezaj nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë.

Ai ka bërë të ditur se policia është njoftuar sot, më 22 tetor, rreth orës 05:00, për të shtëna me armë zjarri në këtë fshat.

“Pas pranimit të njoftimit, njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme”, ka deklaruar Elezaj.

Sipas tij, deri më tani janë arrestuar tre persona të dyshuar, ndërsa është sekuestruar edhe një armë zjarri.

“Deri më tani janë arrestuar tre persona të dyshuar, meshkuj, madhorë si dhe është sekuestruar një armë zjarri, pistoletë, për të cilën dyshohet se është përdorur në rast”, thuhet në konfirmimin e policisë.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur edhe dy gëzhoja fisheku, ndërsa fatmirësisht nuk është raportuar për persona të lënduar.

“Si pasojë e të shtënave nuk është raportuar për persona të lënduar”, ka bërë të ditur Elezaj.

Në konsultim me prokurorin kompetent, rasti është iniciuar si “Vrasje në tentativë”.

Aktualisht, hetimet janë duke vazhduar për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. /Lajmi.net/